

LEZHË – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e së hënës në fshatin Balldre të Lezhës, ku një i moshuar ka humbur jetën tragjikisht pasi ka rënë në një shpellë natyrore. Viktima është identifikuar si Preng Mandreaj, banor i zonës.
Sipas informacioneve paraprake, Mandreaj ishte larguar nga banesa dhe nuk ishte kthyer për disa orë, çka shqetësoi familjarët të cilët njoftuan policinë. Pas kërkimeve intensive në zonën përreth, ai u gjet i pajetë brenda një shpelle rreth 20 metra të thellë, e cila ndodhet në një terren malor përballë banesës së tij.
Forcat zjarrfikëse dhe të Policisë së Shtetit mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë për nxjerrjen e trupit nga thellësia e shpelles. Dyshohet se rënia ka ndodhur aksidentalisht, por hetimet janë në vijim për të përcaktuar me saktësi rrethanat e ngjarjes.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






