

Vizitë e nivelit të lartë në Policinë e Shtetit: BKA gjermane dhe Shqipëria thellojnë bashkëpunimin kundër krimit të organizuar
Tiranë – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, priti në një vizitë zyrtare Zëvendëspresidenten e Zyrës Federale Kriminale të Gjermanisë (BKA), znj. Martina Link, e cila shoqërohej nga z. Markus Koths dhe zyrtarë të tjerë të lartë të këtij institucioni prestigjioz gjerman.
Qëllimi kryesor i takimit ishte forcimi i bashkëpunimit ndërmjet dy agjencive ligjzbatuese, veçanërisht në fushën e luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar. Të dyja palët konfirmuan përkushtimin për të zgjeruar partneritetin, me fokus të veçantë tek hetimet financiare dhe sekuestrimi i aseteve të grupeve kriminale.
Drejtori Proda vlerësoi kontributin e BKA-së në projekte të përbashkëta dhe theksoi rëndësinë e partneritetit strategjik: “Partneriteti ynë është ndërtuar mbi besim dhe transparencë. Krimi i organizuar nuk njeh kufij dhe vetëm përmes aleancave të forta ndërkombëtare mund të arrihet sukses i qëndrueshëm,” – u shpreh ai.
Nga ana e saj, znj. Link vlerësoi rezultatet e Policisë shqiptare dhe theksoi rolin e projektit të përbashkët ORKA, i cili ka rritur ndjeshëm efikasitetin në shkëmbimin e informacionit operacional: “BKA mbetet e angazhuar për të zgjeruar bashkëpunimin dhe do të vijojë të mbështesë trajnimet, sidomos në fushën e krimeve kibernetike dhe financiare,” – deklaroi ajo.
Në takim mori pjesë edhe Drejtuesi i Lartë Neritan Nallbati, i cili kërkoi rritjen e mbështetjes për kapacitete teknike dhe trajnime të specializuara, veçanërisht për hetimin e krimeve në fushën e teknologjisë.
Takimi u pasua nga diskutime teknike mes përfaqësuesve të BKA-së dhe specialistëve të Departamentit të Policisë Kriminale, ku u shqyrtuan iniciativa konkrete për projekte të reja në kuadër të bashkëpunimit dypalësh. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






