Transmetuar më 16-06-2025, 08:58

Tiranë, 16 qershor 2025 – Bashkia e Tiranës ka propozuar një paketë të re lehtësimesh fiskale në mbështetje të shtresave në nevojë, përmes një projektvendimi që parashikon ulje ose përjashtim nga disa taksa dhe tarifa vendore. Masa të veçanta janë planifikuar për gratë kryefamiljare me më shumë se tre fëmijë, pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuara.

Sipas dokumentit të paraqitur për konsultim publik, gratë kryefamiljare që kanë themeluar biznese dhe kanë tre ose më shumë fëmijë, do të përfitojnë 50% ulje në taksën e përkohshme për infrastrukturën arsimore dhe në tarifën e pastrimit. Përfitimi bëhet i vlefshëm pas dorëzimit të certifikatës familjare dhe ekstraktit historik të biznesit.

Gjithashtu, projektvendimi parashikon përjashtim total nga taksa për infrastrukturën arsimore dhe tarifa e pastrimit për shoqatat e krijuara nga pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuara. Këto subjekte do të duhet të paraqesin dokumentacionin ligjor që vërteton përbërjen dhe statusin e anëtarëve të tyre.

Një tjetër propozim i rëndësishëm është reduktimi nga 4% në 2% i taksës së ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet publike me pronësi shtetërore, me synim nxitjen e investimeve me interes qytetar.

Nga ana tjetër, është propozuar shfuqizimi i lehtësisë fiskale për bizneset e ngritura nga komuniteti rom dhe egjiptian, si dhe për ato ku mbi 30% e të punësuarve janë nga këto komunitete. Sipas Bashkisë, kjo lehtësi, megjithëse më parë ishte miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave dhe Këshillit Bashkiak, bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë, e cila kërkon që lehtësitë fiskale të përcaktohen vetëm me ligj.

Paketa e re fiskale pritet të shqyrtohet dhe miratohet në Këshillin Bashkiak të Tiranës pas përfundimit të fazës së konsultimit publik.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit