Transmetuar më 15-06-2025, 18:36

Greqi, 15 qershor 2025 – Levian Goga, emigranti shqiptar që u hodh në ujërat e rrëmbyeshme të lumit Arahthos për të shpëtuar dy fëmijë grekë, ka folur publikisht për herë të parë pas ngjarjes tragjike që tronditi opinionin publik në Greqi dhe më gjerë.

Ngjarja ndodhi javën e kaluar, kur dy djem të moshës 12 dhe 14 vjeç ranë në lumë. Pa hezitim, Goga u hodh në ujë duke bërë gjithçka të mundur për t’i nxjerrë të gjallë. Edhe pse i arriti t’i shpëtojë nga uji, fatkeqësisht fëmijët nuk arritën të mbijetojnë, duke pësuar vdekje klinike në spital. Prindërit e tyre vendosën të dhurojnë organet, një akt i lartë humanizmi që ngjalli emocione të mëdha në mbarë vendin.

Në një intervistë për mediat greke, Goga theksoi se nuk kishte asnjë motiv për përfitim personal dhe se nuk veproi për të fituar nënshtetësinë greke. “E bëra sepse mendova se ishte fëmija im aty brenda. Nuk bëra heroizëm, bëra atë që më diktoi zemra. Do t’i bëj tatuazh fëmijët për t’i pasur gjithmonë në zemrën time”, u shpreh ai.

Ai falënderoi mjekët e spitaleve në Artë dhe Patra për kujdesin, si dhe ministrin grek të Shëndetësisë, i cili e kontaktoi personalisht për t’u interesuar për gjendjen e tij. Aktualisht, Goga ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, pavarësisht dëmtimeve që pësoi, duke përfshirë praninë e ujit dhe gjakut në mushkëri.

Me një mesazh prekës, ai u bëri thirrje autoriteteve greke të ndihmojnë prindërit e njërit prej fëmijëve që humbën jetën, të cilët janë emigrantë dhe përballen me vështirësi të mëdha ligjore për shkak të mungesës së dokumentacionit. “Kanë vetëm 20 ditë afat me dokumentet dhe rrezikojnë gjobë nëse dalin nga vendi. Do të donin të qëndronin këtu, të vendosin një lule mbi varrin e djalit të tyre. Ndihmojini,” tha Goga.

Ai kërkoi gjithashtu që në zonën ku ndodhi tragjedia të vendosen tabela paralajmëruese për rrezikun që paraqet lumi Arahthos, i cili arrin thellësi deri në 7 metra dhe konsiderohet i rrezikshëm për fëmijët.

Levian Goga, 41 vjeç, jeton në Greqi prej më shumë se dy dekadash. “Erdha në Greqi 17 vjeç. Kjo është jeta ime, ky është vendi ku jam rritur. Greqia është si atdheu im i dytë,” tha ai, duke lënë pas një mesazh të fuqishëm humaniteti dhe përulësie.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit