Transmetuar më 15-06-2025, 16:39

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se gjatë mandatit të tij të parë ndaloi një konflikt të armatosur mes Serbisë dhe Kosovës, duke kritikuar pasardhësin e tij, Joe Biden, për dështimet në politikën e jashtme në rajon.

Në një postim të gjatë në platformën e tij Truth Social, Trump shkruan:

“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova ishin shumë pranë luftës, siç kanë qenë për dekada me radhë. Unë e ndala atë.”

Ai e lidh përshkallëzimin e tensioneve në Ballkan me veprimet e administratës Biden, të cilat i cilëson si “vendime të pamenduara” që kanë “dëmtuar perspektivat afatgjata” të paqes.

Trump rikujton marrëveshjen e Uashingtonit të vitit 2020, të ndërmjetësuar nga administrata e tij, që kishte në qendër normalizimin ekonomik mes Prishtinës dhe Beogradit, si një sukses diplomatik i tij.

Në të njëjtin reagim, Trump përmend edhe rolin e tij në zbutjen e tensioneve mes Egjiptit dhe Etiopisë për lumin Nil, si dhe mes Indisë dhe Pakistanit, përmes presionit ekonomik amerikan.

Ai mbyll postimin me një mesazh optimist për Lindjen e Mesme:

“Së shpejti do të kemi PAQE mes Izraelit dhe Iranit! Shumë telefonata dhe takime po ndodhin. Unë bëj shumë, por nuk më jepet kurrë merita — s’ka problem, populli e kupton.”

Deklaratat e Trump vijnë në një moment të tensionuar në arenën ndërkombëtare, mes përshkallëzimit të konfliktit Iran-Izrael dhe sfidave të vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit