

Një ngjarje e rëndë është shënuar sot në plazhin e Gjipesë, ku një turist gjerman është përplasur nga një gomone ndërsa ishte duke bërë zhytje. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:40, dhe i dëmtuari është transportuar me urgjencë në spital për ndihmë mjekësore.
Sipas njoftimit të policisë, turisti 46-vjeçar me inicialet D. S., banues në Gjermani, ishte duke u zhytur jashtë perimetrit të sigurisë kur është goditur nga mjeti lundrues i llojit gomone, i drejtuar nga një 27-vjeçar nga Orikumi, me inicialet K. V., i cili kishte dokumentacionin e rregullt për drejtimin e mjetit.
Njoftimi i Policisë:
“Sot, rreth orës 13:40, në plazhin e Gjipesë, dyshohet se shtetasi K. V., 27 vjeç, banues në Orikum, duke drejtuar një gomone me dokumentacion të rregullt, jashtë zonës së sigurisë dhe në një distancë të konsiderueshme nga tapat që kufizojnë zonën e notimit, ka dëmtuar, gjatë kohës që ishte duke bërë zhytje, shtetasin D. S., 46 vjeç, banues në Gjermani.”
Shërbimet e Policisë Kufitare të Dhërmiut kanë ndërhyrë menjëherë, duke i dhënë ndihmën e parë të dëmtuarit dhe duke organizuar transportimin e tij drejt spitalit. Ndërkohë, drejtuesi i gomones është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Dhërmi për veprime të mëtejshme procedurale. Janë marrë në pyetje edhe dëshmitarët që kanë qenë prezentë në momentin e ngjarjes.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






