Transmetuar më 15-06-2025, 08:19

TIRANË – Shqipëria ka hyrë në vitin 2025 me një strukturë demografike gjithnjë e më sfiduese, të karakterizuar nga plakje e përshpejtuar e popullsisë dhe emigracion i lartë, veçanërisht në radhët e të rinjve. Sipas të dhënave më të fundit nga INSTAT, mosha mediane e popullsisë shqiptare u rrit me 0.8 vjet brenda një viti, duke arritur në 44.3 vjeç më 1 janar 2025 – shumë pranë mesatares së Bashkimit Europian (44.7 vjeç).

Në të njëjtën kohë, emigracioni neto (diferenca ndërmjet ikjeve dhe kthimeve) shënoi një rekord negativ prej -28,800 personash për vitin 2024, pothuajse dyfish më i lartë se një vit më parë. Si pasojë, popullsia rezidente zbriti në 2.36 milionë banorë, duke u tkurrur me 1.8% që nga Censi i fundit i vitit 2023.

Shqipëria ka aktualisht një nga popullsitë më të vjetra në Ballkan dhe në Europë, ndërkohë që tkurrja e vazhdueshme e të rinjve dhe normat shumë të ulëta të lindshmërisë (vetëm 1.3 lindje për grua) e vendosin vendin përballë një sfide demografike afatgjatë. Sipas projeksioneve, nëse nuk ndryshon trajektorja aktuale, popullsia shqiptare mund të bjerë nën 2 milionë banorë përpara vitit 2035. Varësia demografike rritet: Rritja e moshës, rënia e lindjeve dhe emigracioni kërcënojnë stabilitetin ekonomik Të dhënat tregojnë se raporti i varësisë së të moshuarve (shkalla me të cilën të moshuarit varen nga popullsia në moshë pune) është rritur me 2.2 pikë përqindje që nga viti 2023, ndërsa raporti i varësisë së të rinjve ka pësuar ulje të lehtë.

Për çdo 100 persona në moshë pune, Shqipëria ka sot 57 persona që janë ose fëmijë ose pensionistë – një barrë gjithnjë në rritje për sistemet e pensioneve, shëndetësisë dhe arsimit.

Shkollat në zona rurale, veçanërisht në veri dhe juglindje, përballen me mbyllje për shkak të mungesës së nxënësve. Paralelisht, tregu i punës dhe administrata publike raportojnë mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar, ndërsa emigrimi po largon kapitalin njerëzor më produktiv – të rinj, të arsimuar dhe me aftësi gjuhësore.

Rritja ekonomike aktuale nuk mjafton për të përballuar sfidën demografike Sipas institucioneve ndërkombëtare si FMN, nëse Shqipëria dëshiron të zbusë pasojat e plakjes së popullsisë dhe të ruajë funksionalitetin e skemave sociale dhe ekonomike, ekonomia e saj duhet të rritet me mbi 5% në vit. Megjithatë, ritmi mesatar i rritjes ekonomike në dekadën 2015–2024 ka qenë rreth 3.5%, i pamjaftueshëm për të përballuar sfidat aktuale.

Struktura e ekonomisë, e dominuar nga sektorë me produktivitet të ulët si bujqësia, ndërtimi, fasoneria dhe turizmi sezonal, e bën edhe më të vështirë përafrimin me vendet e zhvilluara të BE-së. Ndërkohë, shpenzimet publike për banor, qëndrojnë në vetëm 34% të mesatares së BE-së.

Ekspertët paralajmërojnë se, në mungesë të politikave të menjëhershme dhe të qëndrueshme, sistemi i pensioneve do të kërkojë fonde shtesë që arrijnë deri në 0.2% të PBB-së çdo vit, ndërsa deficiti i ISSH-së mund të dyfishohet brenda një dekade.

Zgjidhjet: Rritja e lindshmërisë, frenimi i emigracionit dhe investimi në kapital njerëzor Demografët dhe ekonomistët theksojnë nevojën për ndërhyrje të menjëhershme për të nxitur lindjet dhe për të frenuar emigracionin, si dhe për të krijuar kushte të favorshme për kthimin e diasporës.

Sipas prof. Ilir Gëdeshit, një nga ekspertët kryesorë të demografisë në vend, Shqipëria duhet të ndërmarrë politika të fokusuara në:

Stimulimin e lindjeve, përmes subvencioneve dhe mbështetjes për familjet e reja;

Krijimin e kushteve për kthimin e të rinjve nga emigracioni, përmes punësimit të mirëpaguar dhe shërbimeve cilësore;

Investime në arsim, kërkim dhe teknologji, veçanërisht në fushat me potencial eksporti;

Automatizimin e proceseve në bujqësi dhe agropërpunim, për të kompensuar mungesën e fuqisë punëtore.

Nëse këto masa nuk merren në kohë, hendeku mes një popullsie në plakje dhe rritjes ekonomike do të thellohet, duke ekspozuar financat publike, tregun e punës dhe mirëqenien sociale ndaj një rreziku sistemik afatgjatë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit