

Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, udhëhoqi një delegacion akademik në një vizitë zyrtare pranë Qendrës së Shkëmbimit dhe Bashkëpunimit Gjuhësor në Kinë (CLEC), në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe promovimit të shkëmbimeve gjuhësore dhe kulturore ndërmjet Shqipërisë dhe Kinës.
Delegacioni u shoqërua edhe nga Ambasadori i Shqipërisë në Kinë, Riza Poda.
Gjatë vizitës, delegacioni u prit nga Hu Zhiping, zëvendësdrejtor i Qendrës së Shkëmbimit dhe Bashkëpunimit Gjuhësor, me të cilin u zhvilluan bisedime konstruktive rreth zhvillimit të mësimdhënies së gjuhës kineze në Shqipëri, rolit të Institutit Konfuci në Universitetin e Tiranës dhe mundësive për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë.
Të dyja palët shprehën vullnetin e ndërsjellë për të forcuar partneritetin ekzistues dhe për të ndërtuar një platformë më të gjerë dhe më funksionale të shkëmbimit kulturor dhe akademik për të rinjtë shqiptarë dhe kinezë.
Gjithashtu u theksua rëndësia e mbështetjes së ndërsjellë në projekte që promovojnë ndërkulturalizmin, mësimin e gjuhëve të huaja dhe krijimin e mundësive të reja arsimore.
Përfaqësues nga Universiteti i Tiranës dhe Qendra kineze e Shkëmbimit dhe Bashkëpunimit Gjuhësor nënshkruan marrëveshjen për “Bashkëpunim në ngritjen e klasës inteligjente kineze” në ambientet e Institutit Konfuci pranë Universitetit të Tiranës.
Kjo marrëveshje synon të modernizojë procesin e mësimdhënies së gjuhës kineze, përmes përdorimit të teknologjive të reja dhe burimeve didaktike të avancuara, si dhe të krijojë një mjedis më ndërveprues dhe inovativ për studentët shqiptarë.
Vizita përbën një hap të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve akademike mes Universitetit të Tiranës dhe institucioneve arsimore kineze, duke konfirmuar angazhimin e përbashkët për zhvillimin e arsimit cilësor dhe shkëmbimeve ndërkombëtare.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






