

Teheran, 14 qershor 2025 – Sulmet e Iranit ndaj Izraelit nuk kanë përfunduar dhe do të vazhdojnë me objektiva të zgjeruar, përfshirë edhe bazat amerikane në rajon. Lajmi është konfirmuar nga agjencia iraniane e lajmeve Fars, e cila citon burime të larta ushtarake të Republikës Islamike.
“Ky konfrontim nuk do të mbyllet me veprimet e kufizuara të natës së kaluar. Sulmet do të vazhdojnë dhe do të jenë shumë të dhimbshme për agresorët”, shkruan Fars, duke paralajmëruar një përgjigje të gjerë dhe të vendosur nga ana e Iranit.
Ndërkohë, radioja shtetërore iraniane raportoi se dy gjeneralë të tjerë iranianë janë vrarë në sulmet ajrore izraelite: Gholamresa Mehrabi, zëvendësshef i Departamentit të Inteligjencës, dhe Mehdi Rabani, zëvendësshef i operacioneve në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Kjo e çon në tetë numrin e përgjithshëm të gjeneralëve të vrarë deri tani nga sulmet izraelite.
Ekspertë ndërkombëtarë e lidhin ofensivën izraelite me përpjekjet për të ndaluar përparimin e negociatave bërthamore midis Uashingtonit dhe Teheranit. “Një nga qëllimet kryesore të sulmit ishte pikërisht të pengonte një marrëveshje të mundshme SHBA–Iran”, shkroi analisti Sadegh Zibakalam në rrjetin X, cituar nga media gjermane Die Welt.
SHBA dhe Irani kanë negociuar për më shumë se dy muaj për programin bërthamor iranian, megjithatë bisedimet kanë ngecur dhe një raund i ri ishte planifikuar të zhvillohej këtë të diel. Situata e re rrezikon të përshkallëzojë më tej tensionet në Lindjen e Mesme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






