

Lushnje, 14 qershor 2025 – Një aksident i rëndë është shënuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në autostradën Fier–Lushnje, pranë zonës së njohur si vendpushimi i shoferëve. Një automjet tip Benz, që lëvizte me shpejtësi të lartë, ka përplasur nga pas një furgon pasagjerësh, duke shkaktuar pasoja serioze.
Sipas burimeve paraprake, përplasja ka bërë që Benz-i të devijojë nga rruga, të thyejë barrierat mbrojtëse metalike dhe të përfundojë në kanalin kullues anësor, ku më pas është përfshirë nga flakët. Katër personat që ndodheshin në këtë automjet fatmirësisht kanë mundur të dalin në kohë nga makina dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore në spital.
Nga ana tjetër, furgoni që kishte në bord 7 pasagjerë dhe po udhëtonte drejt aeroportit të Rinasit, është zhvendosur disa qindra metra nga vendi i përplasjes për shkak të goditjes së fortë. Të gjithë pasagjerët kanë pësuar lëndime, ndërsa dy prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë në Spitalin Rajonal të Lushnjes.
Policia dhe shërbimet zjarrfikëse mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






