Transmetuar më 13-06-2025, 22:32

Indi, 13 qershor 2025 – Rrëzimi tragjik i avionit në Indi që mori jetën e mbi 300 personave ka rikthyer në vëmendje një detaj të pazakontë: sedilja 11A, pozicioni ku ndodhej i vetmi pasagjer që mbijetoi nga përplasja. Ky fakt ka bërë jehonë ndërkombëtare, duke sjellë në kujtesë një rast të ngjashëm të ndodhur 27 vite më parë në Tajlandë.

Këngëtari i njohur tajlandez, Ruangsak Loychusak, ka reaguar publikisht pas ngjarjes në Indi, duke treguar se edhe ai ishte ulësur në sediljen 11A kur i shpëtoi një aksidenti ajror më 11 dhjetor 1998, kur fluturimi TG261 i Thai Airways u rrëzua gjatë përpjekjes për ulje në qytetin Surat Thani, në kushte të rënda atmosferike. Nga 146 persona në bord, 101 humbën jetën, ndërsa Loychusak ishte mes të mbijetuarve.

“Kur lexova lajmin për aksidentin në Indi dhe zbulova se i vetmi i mbijetuar ishte ulur në 11A, u drodha i tëri. Nuk është një rastësi që mund ta injorosh lehtë,” deklaroi ai për mediat tajlandeze.

Këngëtari rrëfeu se për shumë vite vuajti nga trauma: “Për dhjetë vjet pata frikë të fluturoja. Rrija i heshtur, shmangia bisedat dhe nuk lejoja askënd të mbyllte dritaren pranë meje. E shikoja jashtë me ankth. Ende mbaj mend tingujt, aromat, madje edhe shijen e ujit në kënetën ku u rrëzua avioni.”

Ekspertët e aviacionit kanë shpjeguar më parë se sediljet që ndodhen afër krahëve të avionit, si 11A, statistikisht kanë më shumë gjasa për mbijetesë në raste përplasjeje, për shkak të strukturës së fortifikuar të atij seksioni. Rasti i përsëritur i mbijetesës në këtë vend ka rritur diskutimet për sigurinë në fluturime dhe rolin që mund të ketë pozicioni i sediljes në fatin e pasagjerëve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit