Transmetuar më 13-06-2025, 11:47

Edhe pse paragjykimet që lidhen me të premten e 13-të nuk janë aq të vjetra sa vetë njerëzimi, mitet dhe simbolika rreth kësaj date janë rrënjosur thellë në kulturën moderne. Në vitin 2025, kjo ditë e konsideruar “ogurzezë” ndodh vetëm një herë, pikërisht më 13 qershor, çka për shumë njerëz e bën edhe më të veçantë, madje edhe shqetësuese.

Një nga teoritë më të përmendura për origjinën e frikës nga kjo datë na çon në Mesjetë, në vitin 1307, kur më 13 tetor, të premten, mbreti francez Filip IV urdhëroi arrestimin masiv dhe ekzekutimin e Kalorësve Templarë. Për shumë studiues të folklorit, kjo ngjarje ka ndikuar në krijimin e perceptimit të së premtes së 13-të si ditë fatkeqësie.

Edhe tradita e krishterë ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e këtij simbolizmi. Sipas besimit, në Darkën e Fundit ishin 13 persona, ndërsa kryqëzimi i Jezusit ndodhi të premten. Kombinimi i numrit 13 me këtë ditë të javës u shndërrua me kalimin e kohës në një simbol oguri të keq.

Pavarësisht nëse i besoni apo jo këtyre paragjykimeve, folklori popullor ka ndërtuar një listë të gjatë veprimesh që “duhet të shmangen” në këtë ditë. Disa nga më të njohurat janë:

– Kalimi nën shkallë, që sipas traditës së hershme krishtere shihet si shkelje e simbolit të Trinisë së Shenjtë.

– Macja e zezë që të pret rrugën, veçanërisht nëse kalon nga e majta në të djathtë, çka sipas besimit sjell fat të keq.

– Thyerja e pasqyrës, që mendohet se sjell shtatë vite fatkeqësi.

– Derdhja e kripës, e cila “neutralizohet” duke e hedhur mbi shpatullën e majtë.

– Hapja e çadrës brenda shtëpisë, që besohet se sjell grindje dhe konflikte.

Po ashtu, sipas besimeve popullore, nuk këshillohet të ngrihesh nga shtrati me këmbën e majtë, të veshësh fillimisht çorapen e majtë, të përdorësh lugën e dikujt tjetër apo të hapësh gojën pa e mbuluar me dorë – të gjitha këto shihen si shenja oguri të keq.

Edhe pse për shumëkënd këto besime duken si mbetje të së kaluarës, frika nga e premtja e 13-të vazhdon të ndikojë edhe sot, pasi shumë njerëz shmangin planifikimin e udhëtimeve, operacioneve apo vendimeve të rëndësishme në këtë datë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit