

TIRANA- Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka pezulluar 3 punonjës policie të Forcës së Posaçme Shqiponja. Pezullimi i tyre vjen për një ngjarje të ndodhur më 8 maj, ku tre punonjësit kanë ndaluar një automjet dhe më pas janë konfliktuar fizikisht me drejtuesin. Bëhet me dije se ky i fundit përfundoi në spital.
Njoftimi i AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka zbatuar urdhërin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për tre punonjës policie të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kryerje e veprimeve arbitrare në bashkëpunim”.
Inspektor E. T., me detyrë Trupë Shërbimi, Seksioni “Shigjeta”, në sektorin e Forcës së Posaçme Shqiponja.
Inspektor D. G., me detyrë Trupë Shërbimi, Seksioni “Shigjeta”, në sektorin e Forcës së Posaçme Shqiponja.
Inspektor E. N., me detyrë Trupë Shërbimi, Seksioni “Shigjeta”, në sektorin e Forcës së Posaçme Shqiponja.
Caktimi i masave të sigurimit personal u bë i mundur në funksion të procedimit penal të vitit 2025 në lidhje me ngjarjen e datës 08.05.2025 rreth orës 19:30, punonjësit e policisë kanë ndaluar një automjet me drejtues shtetasin R. Z., dhe me veprime arbitrare kanë kaluar në konfrontim fizik, ku për pasojë drejtuesi i automjetit është dërguar në Spitalin Universitar të Traumës për trajtim mjekësor.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






