

Panairi i 11-të Ndërkombëtar i Teknologjisë i Kinës u hap të mërkurën në Shangai, me temën "Inovacion i hapur për forcat e reja prodhuese cilësore dhe zhvillimin e qëndrueshëm".
Panairi i këtij viti ka një zonë ekspozimi me një sipërfaqe rekord prej 35 000 metrash katrorë, me një pavijon tematik, dy pavijone rajonale, katër zona teknologjie të specializuara dhe dy zona funksionale.
Afro një mijë ndërmarrje nga rreth 20 vende e rajone, si edhe 20 rajone në nivel province nga mbarë Kina, po shfaqin risitë më të reja të tyre, duke shënuar një rekord të ri si në përmasë, ashtu edhe në cilësi.
Glasgou i Mbretërisë së Bashkuar është Qyteti i Nderit i Ftuar i këtij viti nga jashtë vendit, ndërsa Shenzhen-i është Qyteti i Nderit i Ftuar i brendshëm.
Ky panair vë në qendër të vëmendjes industritë dhe fushat në zhvillim të tregtisë së teknologjisë, përfshirë inteligjencën artificiale.
Katër zona kryesore u kushtohen sektorëve të përparuar, përkatësisht kriptografisë komerciale dhe prodhimit digjital, energjisë dhe logjistikës së gjelbër, inxhinierisë dhe pajisjeve inteligjente detare, si edhe teknologjisë së konsumatorit e asaj komerciale.
Në këtë panair do të organizohen afro 60 forume të specializuara dhe veprimtari anësore në fushën e tregtisë së teknologjisë, duke vendosur një rekord të ri për numrin e veprimtarive paralele. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






