Transmetuar më 12-06-2025, 16:32

Tragjedi në Indi: Rrëzohet avioni i Air India me destinacion Londrën – Mbi 240 të vdekur

Një avion pasagjerësh i kompanisë Air India, me 242 persona në bord dhe me destinacion Londrën, u rrëzua vetëm disa minuta pas ngritjes nga qyteti Ahmedabad në Indi, ditën e enjte. Autoritetet konfirmojnë se kjo është katastrofa ajrore më e rëndë në dekadën e fundit.

Avioni u rrëzua mbi një zonë të banuar, duke goditur konviktin e Kolegjit Mjekësor “B.J.”, pranë aeroportit, gjatë orarit të drekës. Destinacioni përfundimtar ishte aeroporti Gatwick, në jug të Londrës.

Sipas shefit të policisë së qytetit, G.S. Malik, janë nxjerrë 204 trupa nga vendi i ngjarjes, ndërsa raportohet se nuk ka të mbijetuar.

Gazeta Indian Express, duke cituar burime nga policia, raportoi se të gjithë 242 pasagjerët kanë humbur jetën.

Për identifikimin e viktimave, të afërmit janë ftuar të dorëzojnë mostra të ADN-së, bëri të ditur sekretari shtetëror i shëndetësisë, Dhananjay Dwivedi.

Viktimat mund të përfshijnë edhe banorë të zonës, jo vetëm pasagjerë të avionit.

Një pjesë e avionit përfundoi mbi mensën e Kolegjit Mjekësor “B.J.”, duke vrarë të paktën pesë studentë dhe plagosur afro 50 të tjerë – shumë prej të cilëve janë në gjendje kritike. Këtë e konfirmoi Divyansh Singh, nënkryetar i Federatës së Shoqatës së Mjekëve Rezidentë në Indi (FAIMA).

“Disa nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë. Ne po bashkëpunojmë ngushtë me kolegët në spital, të cilët po kërkojnë ende persona të bllokuar nën rrënoja,” deklaroi Singh.

Pamjet nga televizioni indian tregojnë copëza të avionit të rrëzuar mbi ndërtesën e konviktit, ndërsa nuk është e qartë nëse kishte studentë brenda objektit në momentin e përplasjes.

Kjo tragjedi ndodh pak ditë para hapjes së Panairit Ndërkombëtar të Parisit për Aviacionin, një ngjarje madhore ku Boeing dhe Airbus prezantojnë flotat e tyre dhe garojnë për porosi të reja.

Aksidenti goditi rëndë edhe aksionet e kompanisë Boeing. Para ngjarjes, aksionet kishin shënuar një rritje prej 25% këtë vit, duke sinjalizuar rimëkëmbje pas krizës që shkaktuan rrëzimet fatale të avionëve Boeing 737 Max 8 disa vite më parë – por tashmë kjo duket se ka marrë një kthesë tjetër dramatike.

Air India është në pronësi të konglomeratit indian Tata Sons, që e bleu kompaninë në vitin 2022 nga shteti indian për një vlerë prej 180 miliardë rupish (atëherë rreth 2.4 miliardë dollarë), si pjesë e përpjekjeve të kryeministrit Narendra Modi për privatizimin e bizneseve shtetërore me humbje.

Që nga privatizimi, Air India ka nisur një ristrukturim të gjerë, ka porositur qindra avionë të rinj, ka ndërruar identitetin vizual dhe është bashkuar me linja të tjera ajrore që ishin në pronësi të Tata.

Hetimet për shkakun e aksidentit janë ende në zhvillim, ndërsa vendi është në zi kombëtare. /noa.al me të dhëna nga AP

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit