

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë kundër kërkesës së Unionit të Gjyqtarëve për rritjen e pagave të tyre. Duke folur në një konferencë për shtyp, Berisha tha se pagat e gjyqtarëve sot janë më të lartat në Ballkan. Edhe pse pa përmendur emra kryedemokrati, iu referua akuzave të bëra gjatë kohës që President ishte Bamir Topi dhe nënkryetar i KLD-së, Kreshnik Spahiu, për të cilët tha se merrnin 150 mijë deri në 300 mijë euro. Gjithashtu sipas tij këtë praktikë nuk e ndoqi Rexhep Meidani.
“Prokurorët dhe gjykatësit në Shqipëri paguhen më shumë se kolegët e tyre në Ballkan dhe njësoj me ata në disa vende të Europës. Nuk ka gjë më absurde dhe kjo vetëm sa u ka rritur oreksin. Në qoftë se gjeni një qytetar që u thotë se po më ecën procesi gjyqësor pa ryshfet, urdhëroni. Sot ryshfeti ka marrë përmasat më gjigante në historinë e shtetit.
Ka qenë një periudhë kur ky çakalli që del çdo nate që flet nga Shallvaret apo nga Berlini, bashkë me bosin e tij, Komisioni Europian në një raport investigativ i akuzon se këta merrnin 150 mijë euro për një transferim, 200-300 mijë euro për një emërim në Tiranë. Në qoftë se ka gjë në themel të shkatërrimit të atij sistemi qëndrojnë këta të dy.
këtë praktikë nuk e ndoqi Rexhep Meidani. Kjo praktikë u instalua me këta dy persona. Erdhën më pyetën a ta publikojmë këtë raport dhe thashë “po”. Ata nuk e publikuan sepse çakalli i KLD-së kërkoi që raporti të mos bëhet publik. Sot shifrat krahasuar me atë kohë janë dy apo trefishuar”, deklaroi më tej Berisha.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






