Transmetuar më 12-06-2025, 14:02

Një rast i rëndë i ndotjes së mjedisit është raportuar në rrjetet sociale, ku furgoni i kompanisë “Driza” është filmuar duke shkarkuar mbetjet e pularisë në liqenin e qytetit.

Në video duket furgoni i kompanisë “Driza” teksa ka hapur dyert e pasme nga ku një punonjës hedh në liqen mbetjet.

Për këtë video ka reaguar edhe Policia e Shtetit, e cila njofton se ka proceduar penalisht 31-vjeçarit.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se mbetjet e hedhura në lumë ishin të kompanisë ku ai punon, e cila ka si veprimtari përpunimin e mishit të pulës.

Ndërkohë bëhet me dije se procedimi penal ndaj 31-vjeçarit nisi për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”.

Njoftimi i Policisë:

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër

Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqet një automjet me logon e një kompanie, nga i cili hidhen mbetje në lumin Buna, sqarojmë se:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë kryer veprimet hetimore për rastin dhe kanë identifikuar shtetasin K. Gj., i cili shfaqet në video, duke hedhur nga automjeti në lumë, mbetje të kompanisë ku ai punon, e cila ka si veprimtari përpunimin e mishit të pulës.

Në përfundim të veprimeve për rastin, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në penal për shtetasin K. Gj., 31 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër falënderon mediat dhe qytetarët, për denoncimet dhe bashkëpunimin me Policinë, dhe i fton ata që të vijojnë të denoncojnë rastet e dhunës dhe të çdolloj paligjshmërie, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të menjëhershëm.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit