Transmetuar më 12-06-2025, 10:30

Policia e Shtetit ka intensifikuar kontrollet në të gjithë qarkun Shkodër në kuadër të operacionit antikanabis të koduar “Koordinata”, duke zbuluar dhe asgjësuar gjithsej 19 739 fidanë dhe bimë të dyshuara narkotike të llojit Cannabis Sativa.

Sipas Policisë, aksioni u zhvillua mbi bazën e informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe verifikimeve në terren, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe komisariatet në varësi të saj.

Në territorin e Komisariatit të Policisë Shkodër, konkretisht në njësitë administrative Shalë, Pult, Postribë dhe Gur i Zi, u gjetën dhe u asgjësuan 201 fidanë dhe 651 bimë cannabis sativa. Në lidhje me këto raste, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për kryetarin e fshatit Kir, shtetasin S. H., për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, si dhe për rojën e mjedisit, shtetasin L. A., për “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim krimi”.

Në zonat nën juridiksionin e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në njësitë administrative Shllak dhe Temal, u gjetën dhe u asgjësuan 893 fidanë dhe 16 700 bimë cannabis sativa.

Ndërkohë, në Komisariatin e Policisë Pukë, në njësinë administrative Qerret, u asgjësuan 1 050 bimë cannabis sativa, ndërsa nga Stacioni i Policisë Fushë Arrëz, në njësinë administrative Iball, u gjetën dhe u shkatërruan 174 bimë cannabis sativa.

Po ashtu, në territorin e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në njësinë administrative Shkrel, u asgjësuan 70 bimë cannabis sativa.

Policia bën me dije se strukturat policore vijojnë punën për identifikimin, kapjen dhe ndjekjen penale të autorëve të këtyre veprave penale, ndërsa operacioni “Koordinata” do të vazhdojë si pjesë e luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike në territorin e vendit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit