

TIRANË- Nëna e 14 vjeçarit Martin Cani, Florina u shpreh se është tronditur me publikimin e pamjeve të sherrit mes të miturve, ku për pasojë mbeti i vdekur djali i saj. Florina në "Opinion" tha se ajo me bashkëshortin do e kthejnë katin e parë të shtëpisë së tyre në një muze.
Ajo theksoi se do të jetë një muze, ku Martini do qëndrojë i gjallë përmes kujtimeve. Nëna e të ndjerit sjtoi se sapo e kanë marrë projektin dhe kush dëshiron të kontribuojë është i mirëpritur.
“Po bëjmë një muze në kat të parë të shtëpisë tonë, me të gjitha kujtimet e Martinit. Nëse dikush do të pijë një çaj, kafe, ujë dhe të shohë sa fëmijë inteligjent ka qenë Martini. Nëpërmjet fotove, të gjitha ato cilësi që kishte, kthehet në simbol për fëmijët e tjerë. Të mos ndodhin më gjëra të tilla. Ia ruaj me fanatizëm të gjitha sendet e veta. Tani kemi marrë projektin dhe kush dëshiron të kontribuojë, është i mirëpritur”, tha Florina Cani.
Vrasja e Martin Canit
Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 nëntorit 2024 pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një konflikti mes dy të miturve që ka degraduar në përdorimin e thikës. Mario Përlleshaj dyshohet se ka qenë në klasë paralele me viktimën, në shkollën 9-vjeçare ‘Fan Noli’. Konflikti mes të miturve raportohet se ka nisur në oborrin e shkollës, ndërsa ka agravuar jashtë ambienteve të saj.
Autori ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar mbi 14-vjeçarin, Martin Cani. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës. Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital.
I plagosur nga ky sherr ka mbetur edhe shoku i ngushtë i viktimës, Luis Meçja i cili nuk mësonte në të njëjtën shkollë me to, po stërviteshin në të njëtin klub futbolli. I plagosur mbeti edhe vetë autori, i cili mori dëmtime në dorë dhe u trajtua në spital privat për disa ditë pas ngjarjes së rëndë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






