Transmetuar më 11-06-2025, 23:14

Këshilli i Ministrave ka miratuar në parim marrëveshjen për sigurimet shoqërore mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Serbisë, duke hapur rrugën për njohjen reciproke të kontributeve të qytetarëve që kanë punuar në të dy vendet.

Vendimi u mor në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Marrëveshja ka për qëllim garantimin e të drejtave të sigurimeve shoqërore për shtetasit shqiptarë dhe serbë, duke siguruar transferimin dhe njohjen e periudhave të sigurimit, përfitimeve të pensionit dhe përfitimeve të tjera të lidhura me sigurimet.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe përbën një hap konkret drejt përmirësimit të mbrojtjes sociale të qytetarëve që jetojnë apo kanë jetuar dhe punuar në të dy vendet.

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS SË SERBISË, PËR SIGURIMET SHOQËRORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Serbisë, për sigurimet shoqërore, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit