

Durrës, 11 qershor 2025 – Një zjarr i fuqishëm ka rënë pasditen e së martës në katin e parë të një pallati në qytetin e Durrësit, duke shkaktuar panik në mesin e banorëve dhe mobilizim të menjëhershëm të forcave të emergjencës.
Flakët janë përhapur me shpejtësi, ndërsa tymi i dendur ka alarmuar banorët dhe lagjen përreth, duke bërë që autoritetet të nisin evakuimin e menjëhershëm të ndërtesës dhe zonave pranë saj.
Në vendngjarje kanë mbërritur tre automjete të zjarrfikëses, të cilat janë duke punuar për izolimin e vatrës së zjarrit, që mbetet ende aktive.
Sipas burimeve zyrtare, situata është konsideruar me rrezik të lartë, për shkak të pranisë së depozitave me hidrokarbure në ambientet e përbashkëta, të cilat shërbejnë për ngrohjen qendrore të pallatit. Ky faktor ka shtuar frikën për shpërthim dhe ka detyruar forcat e rendit të zgjerojnë perimetrin e sigurisë.
Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohen të lënduar në radhët e banorëve. Megjithatë, një punonjës i shërbimit zjarrfikës është ndjerë keq për shkak të ekspozimit ndaj tymit dhe është trajtuar nga ekipi mjekësor në vendngjarje.
Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendin e ngjarjes për të hetuar shkakun e zjarrit, i cili deri tani mbetet i paqartë. Ekspertët po verifikojnë nëse ka pasur ndonjë defekt elektrik, rrjedhje gazi apo ndonjë faktor tjetër që mund të ketë shkaktuar flakët.



Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






