Transmetuar më 11-06-2025, 21:19

Frankfurt, 11 qershor 2025 – Ari ka kaluar euron si aseti i dytë më i rëndësishëm në rezervat valutore të bankave qendrore në mbarë botën. Sipas raportit vjetor të Bankës Qendrore Evropiane mbi pozicionin ndërkombëtar të valutës, në fund të vitit 2024 ari përbënte 20% të rezervave globale sipas çmimeve të tregut, duke lënë pas euron me 16%.

Dollari amerikan mbetet valuta dominuese në rezervat botërore, me 46%, ndonëse në rënie të qëndrueshme.

Rritja e ndjeshme e çmimit të arit – i cili është dyfishuar që nga fundi i vitit 2022 – është nxitur nga blerjet agresive të vetë bankave qendrore. Institucionet sovrane kanë blerë më shumë se 1 mijë tonë ar në vit gjatë tre viteve të fundit, ritëm dy herë më i lartë se mesatarja historike.

Zotërimet e arit janë kthyer në nivelet më të larta që nga fundi i viteve ’70, një periudhë e pasigurt monetare që solli rritje të mbështetjes te asetet fizike.

“Kërkesa për ar si rezervë valutore u rrit ndjeshëm pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 dhe ka mbetur e qëndrueshme që prej asaj kohe,” thuhet në raportin e BQE-së, i cituar nga Bloomberg.

Rritja e interesit për arin sinjalizon një zhvendosje të qartë në strategjinë e bankave qendrore drejt aseteve të sigurta, përballë tensioneve gjeopolitike dhe pasigurive monetare globale.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit