

Në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, dhe përmes bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit, janë finalizuar procedurat për ekstradimin nga Dubai drejt Shqipërisë të dy shtetasve:
Dashnor Dumani, 40 vjeç – I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GjKKO), për veprat penale:
“Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”
“Vjedhja me armë”
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në kuadër të një organizate kriminale.
Sipas hetimeve, Dumani akuzohet se në vitin 2018 në fshatin Bradashesh ka qenë ekzekutori i vrasjes së shtetasve E. A., A. D. dhe E. D. Ndërkohë, në vitin 2019, ai dyshohet se, në bashkëpunim me shtetasin A. N., ka djegur një nga automjetet e përdorura gjatë një vjedhjeje të armatosur të një shume parash në aeroportin e Rinasit.
Dumani është gjithashtu i dënuar më parë nga Gjykata e Durrësit në vitin 2016 me 4 vjet e 4 muaj burg, për armëmbajtje pa leje. Nga ky dënim, i kanë mbetur për të vuajtur edhe 1 vit e 4 muaj.
Armis Stafa, 36 vjeç – I shpallur në kërkim nga GjKKO për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të organizatës kriminale. Ai akuzohet se ka pastruar paratë e përfituara nga veprimtaria kriminale e shtetasve F. G. alias F. Ç. dhe H. B. alias H. Ç., përmes aktiviteteve të shitblerjes së automjeteve.
Të dy u arrestuan në Dubai pas shkëmbimit të shpejtë të informacioneve dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional. Aktualisht, ata ndodhen në Shqipëri dhe pritet të përballen me procesin gjyqësor për akuzat përkatëse. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






