Transmetuar më 11-06-2025, 16:34

Shqipëria mori sot dritën jeshile nga 27 vendet e BE-së për të paraqitur pozicionin negociues mbi 4 kapituj kyç: transporti, energjia, ndërlidhja evropiane dhe mjedisi. Kjo nënkupton rrugë më të sigurta, energji të përballueshme dhe ajër më të pastër për qytetarët shqiptarë – një hap konkret drejt BE-së

Bruksel,  11 qershor 2025 /noa.al- Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian ka autorizuar sot Presidencën e BE-së të ftojë Shqipërinë për të paraqitur pozicionin negociues mbi katër kapituj që bëjnë pjesën e Grupkapitullit 4, të titulluar "Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme".

Këtë vendim, Presidenca Polake ia ka komunikuar zyrtarisht Shqipërisë me anë të një letre zyrtare, raporton noa.al.

Pozicioni negociues shqiptar do të paraqitet në Konferencën e Gjashtë Ndërqeveritare me Shqipërinë, e cila do të organizohet në një datë të cilën do ta shpallë së shpejti Presidenca e Këshillit të BE-së.

Kapitujt e Grupkapitullit 4 kanë një ndikim të drejtëpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe zhvillimin afatgjatë të vendit:

Kapitulli 14 trajton politikën e transportit dhe synon përmirësimin e infrastrukturës, sigurisë rrugore dhe hekurudhore;

Kapitulli 15 përqendrohet te sektori i energjisë dhe garantimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe të përballueshëm me energji;

Kapitulli 21 fokusohet te rrjetet trans-evropiane dhe ndërlidhja infrastrukturore e Shqipërisë me vendet e BE-së, në kuadrin e Korridoreve Evropiane;

Kapitulli 27 trajton mbrojtjen e mjedisit dhe përballimin e ndryshimeve klimatike, sipas standardeve të larta të BE-së.

Negociatat për këta kapituj parashikohen të çojnë në ndërtime rrugësh më moderne dhe të sigurta, ndërlidhje më të ngushta rajonale dhe evropiane, energji të pastër dhe mjedis të mbrojtur, duke sjellë përfitime konkrete për qytetarët.

Vendimi i BE-së konfirmon progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit dhe tregon vlerësimin për reformat ekonomike dhe institucionale të vendit, si dhe për punën e Ekipit Kombëtar të Negociatave. Këtij progresi i shtohet dhe mesazhi se zgjerimi i BE-së është i drejtuar nga rezultate konkrete dhe standarde të matshme. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit