Transmetuar më 11-06-2025, 15:45

8 fishekë, një urdhër dhe një hakmarrje – Çfarë rrëfeu i penduari për atentatin në Lushnjë?

Tiranë, 11 qershor 2025 – Në një dëshmi të dhënë para Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), i penduari i drejtësisë Artan Tafani ka rrëfyer me detaje rolin e tij në një atentat të planifikuar ndaj Kujtim Metës, ndodhur më 20 prill 2022 në qytetin e Lushnjës.

Sipas dëshmisë së Tafanit, atentati ishte urdhëruar nga Laert Haxhiu, si hakmarrje për një konflikt personal – Kujtim Meta dyshohet se kishte rrahur babain e Laertit, dhe për këtë arsye ishte marrë vendimi për eliminimin e tij.

Tafani rrëfen se ka qenë vetë ai që ka marrë përsipër ekzekutimin dhe që ka hyrë i maskuar në lokalin ku ndodhej Meta. I armatosur me një pistoletë me silenciator dhe me 8 fishekë, ai ka qëlluar në drejtim të Metës, i cili mbeti i plagosur rëndë, por i mbijetoi atentatit.

“Kisha 8 fishekë… I zbraza të gjithë. Mendova se ishte goditja përfundimtare. Pastaj ika nga vendi,” – ka deklaruar Tafani në gjykatë.

Atentati ndodhi në mes të ditës, brenda një lokali në zonën e Lushnjës, ndërsa autori u largua menjëherë pas të shtënave. Ngjarja kishte mbetur për një kohë të gjatë pa zbardhje, deri në momentin kur Tafani vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë në kuadër të hetimeve për disa episode të tjera kriminale që përfshijnë emra të njohur të botës së krimit në Fier dhe Lushnjë.

Dëshmia e tij konsiderohet një element kyç në dosjen që SPAK po ndërton kundër disa grupeve kriminale që dyshohet se kanë operuar për vite me rradhë në jug të vendit. Hetimet vazhdojnë në bashkëpunim me strukturat e posaçme për zbardhjen e të gjitha porosive dhe pjesëmarrësve në këtë ngjarje.

Dëshmia e plotë:

Artan Tafani: E kishte hapur si muhabet babai i Laertit. Edhe tha ta vrisnim. E kishte rrahur me grushte babin e Laertit. Kërkonte ta vriste me thikë se po të ishte me plumb, do kuptohej që e kishte bërë Laerti. Kishte ardhur Dorian Shurdhi, një i njohur jonë, shoku i Laertit nga Belgjika. Doriani ruante makinën dhe komunikonte me Laertin. Laerti e kishte bërë planin, do shkoja unë ta godisja.

Do vinte Lulzimi me makinë nga Tirana, te Palma Nova, që të bënim punën e të niseshim për Tiranë. Por nuk e bëmë dot. S’e bëmë se nuk donte Dorian Shurdhi. Doriani e dinte që i shkonin direkt te shpia. E shante Laertin, Dorianin. Thoshte do na kalbë në burg.

E provuam prapë. Kishim armë zastava që na e kishte dhënë Bledar Berberi për të vrarë Albi Bashaliun.

Kujtimi, ishte ulur në një lokal, ngjitur me banakun përballë. Qëllova me armë drejt tij. Sapo godas unë, ky hidhet nga karrigia. Pastaj e qëllova prapë. 8 fishekë që kisha, i qëllova. Ky duke ikur nëpër çimento, unë e qëlloja, sa më mbaruan fishekët.

E gjuajta dhe nga mbrapa. Mbaruan fishekët, ika unë. U mundova ta shënjëstroj. Mesa dëgjova në lajme e kishte kapur në bark. Ika që aty, kalova shinat e trenit në këmbë. Aty mbrapa më priste Lulzimi.

GJKKO: Ishe i maskuar?

Artan Tafani: Kisha maskë covidi, kapuç dhe një xhup të madh. Dalim në autostradë kryesore, ndaluam në Çermë, na bëri me shenjë një patrullë. Nuk ndaluam neve. Gjatë rrugës, unë isha mbrapa, Lulzimi në timon.

Kalojmë Kavajën. Unë po flisja me Laertin, donte të dinte detajet. Po e pyesja se ku të hedhim armët. Më tha hidhini rrugës ku të mundeni, qëlloi që i hodha tek i njëjti vend ku kisha hedhur të Albi Bashaliut.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit