Transmetuar më 11-06-2025, 14:31

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së Unionit të Gjyqtarëve për rritje të re pagash, duke e cilësuar këtë si një abuzim të hapur dhe të papranueshëm me sistemin kushtetues të ndarjes së pushteteve.

“Nuk ka asnjë shtet tjetër ku gjyqtarët i caktojnë vetes pagën me gjyq. Kjo ndodhi në Shqipëri në 2022 dhe është një praktikë e paimagjinueshme në një republikë serioze. Heshtja që treguam atëherë për të mos minuar reformën në drejtësi nuk mund të përsëritet. Nuk do të lejojmë që privilegji i një rritjeje të jashtëzakonshme të pagave, dhënë për të mbështetur pavarësinë e sistemit gjyqësor pas vetingut, të kthehet në një precedent të përjetshëm për çdo rritje të re administrative”, u shpreh Kryeministri.

Ai paralajmëroi se çdo vendim i ri i Gjykatës Kushtetuese në këtë drejtim do të konsiderohet një cënim i drejtpërdrejtë i Kushtetutës dhe i autoritetit të shtetit ligjor. Sipas tij, është e papranueshme që në emër të “pavarësisë së gjyqësorit” të kthehet në rregull ndërhyrja e sistemit gjyqësor në kompetencat e ekzekutivit dhe Kuvendit për politikat e pagave.

Gjyqtarët kërkojnë sërish rritje page – Unioni shkon për herë të dytë në Gjykatën Kushtetuese për të vendosur vetes pagën

Tiranë, 11 qershor 2025 – Për herë të dytë brenda tre viteve, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë që ngjall debat: rritjen e pagave të gjyqtarëve përmes vendimit të gjykatës, dhe jo përmes një akti të ekzekutivit apo parlamentit.

Në vitin 2022, ky union kishte kërkuar dhe marrë nga Gjykata Kushtetuese njohjen e një page bazë të gjyqtarëve të barabartë me pagën e një drejtori departamenti në Kryeministri ose me një përqindje të pagës së Presidentit, sipas zgjedhjes së vetë gjyqtarëve. Kërkesa ishte miratuar, pavarësisht kundërshtimit të qeverisë si palë në gjykim. Si pasojë, u garantua një pagë bazë prej 156.000 lekësh, duke e çuar atë në nivele që thyenin piramidën ekzistuese të pagave në administratë.

Sot, pas rritjes së pagave në administratën publike në maj 2023, Unioni kërkon sërish nga Gjykata Kushtetuese që të ndërhyjë në ligjin për pagat, duke lidhur automatikisht pagën e gjyqtarëve me rritjet që ndodhin në ekzekutiv. Në kërkesën e fundit, Unioni kërkon që paga bazë e gjyqtarëve të rritet edhe më shumë, në përpjesëtim të drejtpërdrejtë me rritjen e pagës së drejtorit të një departamenti në Kryeministri – një kërkesë që, sipas përllogaritjeve, do të sillte një shtesë prej rreth 700 eurosh në muaj për çdo gjyqtar.

Ky zhvillim është përballur me kritika të forta nga përfaqësues të shumicës qeverisëse, që e cilësojnë si abuzim me parimet kushtetuese dhe si kapërcim i vijës ndarëse mes pushteteve. Kërkesa shihet si precedent i rrezikshëm, ku pushteti gjyqësor vendos vetes trajtimin financiar nëpërmjet një procesi të brendshëm gjyqësor, duke anashkaluar organet legjitime të vendimmarrjes për buxhetin dhe politikat e pagave në shtet.

Në vitin 2022, vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte pranuar në heshtje, si një akt i diskutueshëm, por që u tolerua për hir të mbështetjes ndaj reformës në drejtësi dhe nevojës për të fuqizuar trupën gjyqësore pas filtrave të vetingut. Sot, rikthimi i kërkesës me të njëjtin logjikë, por me kërkesa të reja financiare, shihet si një tentativë për ta shndërruar këtë precedent në normë të përhershme, duke bllokuar çdo korrigjim të raportit institucional mes pushteteve.

Përfaqësues politikë të qeverisë kanë bërë thirrje për një kundërshtim të qartë institucional ndaj kësaj kërkese dhe një rishikim të qëndrimit të heshtur të mëparshëm ndaj ndërhyrjes së gjykatave në fushën e politikës buxhetore. Sipas tyre, mbështetja për drejtësinë nuk mund të përdoret si mburojë për përfitime të pakoordinuara e të njëanshme në një republikë që kërkon të ruajë seriozitetin dhe ekuilibrin ndërinstitucional.

Në pritje të një vendimi nga Gjykata Kushtetuese, mbetet për t’u parë nëse kjo kërkesë do të përmbysë sërish piramidën e pagave në administratën publike apo nëse do të vendoset një kufi i qartë në raportin mes nevojës për pavarësi të drejtësisë dhe mekanizmave të kontrollit institucional.

Reagimi i plotë i z.Rama:

"Interesante!

Për herë të dytë brenda tre viteve, Unioni i Gjyqtarëve kërkon sërish rritjen e pagave në gjykatë!

Një praktikë unikale, e padëgjuar dhe e panjohur në historinë e shteteve – që gjyqtarët t’ia caktojnë vetes pagat përmes gjykatës – por që ka ndodhur në Shqipëri, në vitin 2022, kur ky Union kërkoi në Gjykatën Kushtetuese që paga bazë e gjyqtarëve të ekuivalentohej ose me pagën bazë të Drejtorit të Departamentit të Kryeministrisë ose me një përqindje të pagës së Presidentit, sipas dëshirës së gjyqtarëve.

Dhe Gjykata Kushtetuese e pranoi kërkesën – me një shurdhëri mbresëlënëse ndaj argumentave të kundërshtimit të fortë të qeverisë si palë në gjyq – duke garantuar një pagë bazë të lidhur prej 156.000 lekësh!

Mirëpo kjo ndërhyrje skandaloze e gjyqësorit në kompetencat e ekzekutivit, mesa duket, i ka shijuar Unionit aq shumë, sa pas rritjes së pagave të administratës në maj të vitit 2023, Unioni i Gjyqtarëve tani rikërkon përsëri nga Gjykata rritjen e pagave të gjyqtarëve! Këtë herë, Unioni kërkon që paga bazë të lidhet vetëm me pagën bazë të Drejtorit të Departamentit në Kryeministri dhe kërkon sërish ndryshimin e ligjit.

Ndërkohë që në vitin 2022 Unioni donte garantimin e një shume bazë pavarësisht çdo llogaritjeje, sot kërkon që, si pasojë e rritjes së pagës së administratës, t’u rritet paga edhe gjyqtarëve – dhe jo pak, por plot 700 euro!

Domethënë, ky Unioni e kuptoka si një privilegj të përjetshëm faktin që për ta mbështetur pavarësinë e gjyqësorit dhe fuqizuar gjykatësit e dalë nga Vetingu, ne me Reformën në Drejtësi i rritëm pagat e sistemit të drejtësisë menjëherë sa për dhjetë vjet njëzetë vjet, duke e thyer me vetëdije piramidën e pagave të Republikës së Shqipërisë! Pra, sipas Unionit kjo republikë do jetë përjetësisht e vetmja në botë, ku gjykatësit nuk do ta lejojnë ngjitjen e piramidës së thyer të pagave, sepse ndryshe nga gjithë bota në Shqipëri pagat e tyre nuk do rriten me qeveri e parlament, po me gjyq!!!…

Tani, unë uroj shumë që shakaja e hidhur e Gjykatës Kushtetuese herën e parë – të cilën ne e pranuam në heshtje si një lajthitje që duhej kapërdirë për hir të respektit me heshtje të një vendimi të gjyqësorit – të mos përsëritet. Sepse heshtja ndaj çfarëdo abuzimi, me mbështetjen tonë për drejtësinë, nuk është më një opsion për ne. Për më tepër, në këtë rast ky do të ishtë një abuzim madhor, shumëdimensional, që do të cënonte shumëkënd e shumëçka, duke nisur nga vetë Kushtetuta dhe serioziteti i Republikës së Shqipërisë."

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit