

Tiranë, 11 qershor 2025 – Policia e Shtetit njofton se, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe, pritet që gjatë ditës së sotme të përfundojnë procedurat për sjelljen në Shqipëri të dy shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht.
Bëhet fjalë për Dashnor Dumanin dhe Armis Stafën, për të cilët autoritetet shqiptare kanë ngritur akuza të rënda në lidhje me veprimtari të dyshuara kriminale.
Dumani është i dënuar për mbajtje pa leje të mjeteve të rrezikshme dhe është në proces në Gjykatën e Posaçme për disa ngjarje të klasifikuara me rrezikshmëri të lartë.
Ndërkohë, Stafa është nën hetim për përfshirje në rrjete pastrimi pasurie me origjinë të dyshimtë, që lidhen me një grup të strukturuar në zonën e Elbasanit.
Policia ka bërë të ditur se informacioni për orën e mbërritjes në aeroportin “Nënë Tereza” do të publikohet më vonë.
Operacioni ndërkombëtar konsiderohet një ndër zhvillimet më të rëndësishme të ditëve të fundit në kuadër të bashkëpunimit për drejtësinë dhe sigurinë ndërkufitare.
Kthehet për të dhënë llogari – Kush është Dashnor Dumani dhe çfarë e lidh me ngjarjet më të rënda kriminale të dekadës
Dashnor Dumani, një nga emrat më të përfolur në skenën e krimit të organizuar në Shqipëri, ndodhet në pritje të ekstradimit nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt vendit tonë. Ai është i shpallur në kërkim ndërkombëtar për një sërë veprash të rënda, përfshirë ngjarje të klasifikuara me rrezikshmëri të lartë.
Prokuroria e Posaçme e akuzon Dumanin për përfshirje në disa episode kriminale të rënda, përfshirë ngjarjen e njohur si “masakra e Bradasheshit”, ndodhur në dhjetor të vitit 2018, ku humbën jetën tre persona, përfshirë një shtetas turk. Sipas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani – vëllai i tij – Dashnor Dumani ka qenë pjesë aktive e grupit që organizoi dhe zbatoi atë ngjarje.
Emri i tij përmendet edhe në dosje të zgjeruara hetimore, që përfshijnë komunikime të dekoduara përmes aplikacionit Sky ECC. Këto të dhëna kanë shërbyer si provë për lidhjen e tij me struktura kriminale që operonin në Elbasan, Durrës dhe Tiranë, si edhe për lidhje të mundshme me grupet rivale Çopja dhe Talo Çela.
Ndaj tij rëndojnë akuza për mbajtje pa leje të armëve luftarake, vepra kundër jetës së personit me paramendim dhe vjedhje me përdorim force. Prokuroria ka ngritur ndaj tij dosje të veçuara në disa qytete.
Pritet që brenda pak orësh të përfundojnë procedurat e ekstradimit dhe ai të mbërrijë në Shqipëri, ku do të përballet me drejtësinë për rolin e tij në një sërë ngjarjesh me ndikim të madh publik dhe hetim të thelluar nga autoritetet.
/noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd