

“The Wanted” – E plagosi me thikë në Kuçovë dhe u arratis, 26-vjeçari kapet në Greqi dhe ekstradohet në Shqipëri
Policia e Shtetit ka bërë të ditur finalizimin e një tjetër faze të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, i cili synon kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim për vepra penale të rënda.
Në kuadër të këtij operacioni, është ekstraduar nga Greqia drejt Shqipërisë shtetasi shqiptar Besmir Ajazi, 26 vjeç, lindur në Kuçovë. Ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për plagosje të rëndë me dashje, ngjarje e ndodhur në vitin 2023.
Sipas njoftimit zyrtar, në lagjen “Llukan Prifti” në Kuçovë, gjatë një konflikti të çastit, Ajazi ka plagosur disa herë me mjet prerës (thikë) shtetasin E. B., duke i shkaktuar dëmtime të rënda fizike. Për këtë ngjarje, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”.
Ajazi u lokalizua dhe u kap nga Policia greke, si rezultat i bashkëpunimit operacional ndërmjet Interpol Tiranës dhe autoriteteve greke. Pas përfundimit të procedurave ligjore, ai është ekstraduar drejt Shqipërisë, ku do të përballet me drejtësinë.
Operacioni “The Wanted” vijon në disa shtete për kapjen e personave të kërkuar për vepra penale të kryera në territorin shqiptar. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd