

Bulqizë- Bulqizë, 11 qershor 2025 – Një konflikt për një karrige në ambientet e punës ka degjeneruar në dhunë fizike mes dy zyrtarëve në Bulqizë. Drejtori i Kujdesit Shëndetësor, Juljan Damzi, 40 vjeç, është vënë nën hetim pasi akuzohet se ka goditur me shuplakë 26-vjeçaren Shime Doda, drejtuese e Task Forcës pranë Ujësjellës Kanalizimeve Dibër (UKD).
Sipas dëshmisë së Dodës, përplasja nisi pas një debati me bashkëshorten e Damzit, Erla Damzi, e cila pretendoi se kishte urdhër për të marrë disa tavolina dhe një karrige të dëmtuar. Doda thotë se për shkak të karriges së prishur, iu kërkua të paguante 15 mijë lekë të reja. Pas kësaj, në ambientet e zyrës ka mbërritur vetë Juljan Damzi, i cili sipas deklarimeve, e ka shtyrë dhe e ka goditur me shuplakë, duke tentuar ta sulmojë sërish edhe pasi ndërhynë punonjësit e tjerë të institucionit.
Policia ka bërë me dije se materialet në ngarkim të Damzit janë referuar në Prokurori për procedim penal për “goditje për shkak të detyrës”. Hetimet për ngjarjen po vijojnë.
Deklarata e Shime Dodës:
Nxori tavolinat në korridor dhe më pas u fut tek zyra tjetër duke marrë një karrige. Karrigia ishte dëmtuar dhe filloi duke bërtitur që si e keni marrë këtë karrige ashtu do e dorëzoni. Unë i thashë që karrigia është një mjet për t’u përdorur për punët e zyrës së shtetit dhe i thashë se ajo karrige ekziston është por thjesht është prishur. Nga ky moment, ajo vazhdoi duke bërtitur dhe duke thënë që do t;i them drejtorit që keni prishur karriget dhe do të mbani ju përgjegjësi për këtë që keni bërë ose do paguani 15.000 lek të reja për karrigen e dëmtuar.
Në këtë moment vjen përsëri Erla Dazmi bashkë me bashkëshortin e saj Julian Damzi, i cili më drejtohet me zë të lartë duke më thënë se çfarë ke ti që zihesh me nusen time dhe direkt më ka shtyrë dhe më ka goditur me shuplakë. Më pas kanë ndërhyrë punonjësit që ishin prezent të cilët janë Norald Zuna, Luljeta Mullameti, Elda Curri për të ndaluar por ai përsëri nuk ndalonte dhe vazhdonte duke më ndjekur për të më goditur.
Njoftimi i Policisë:
U referuan materialet në Prokurori për shtetasin J.D., 40 vjeç, banues në Bulqizë, i cili dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me shuplakë, për shkak të detyrës shtetasen Sh.D 26 vjeçe. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd