

Peqin, 11 qershor 2025 – Artan Tafani, i penduar i drejtësisë, ka zbuluar detaje tronditëse mbi vrasjen e 35-vjeçarit Albi Bashaliu, i cili u ekzekutua më 27 dhjetor 2021 në fshatin Gjoçaj të Peqinit. Sipas dëshmisë së tij, vrasja është porositur nga Lorenc Lala, i njohur ndryshe si “Lilo ekonomisti”, për t’u hakmarrë ndaj familjes së viktimës.
“Lili është krahu i djathtë i Saimir Taullaut. Banda e Aldo Bares i kishte vrarë vëllain. Lili mbante lekët e Laertit dhe Saimirit”, deklaroi Tafani përpara prokurorit.
Sipas tij, arsyeja e vrasjes lidhej me një konflikt të mëparshëm, pasi babai i Albi Bashaliut kishte vrarë të atin e Lorenc Lalës në burg.
Për realizimin e atentatit, u përdor një makinë tip Audi e bardhë dhe një tjetër makinë Benz me targa greke, që më pas u braktis pranë një dyqani lulesh. Sipas dëshmisë, automjetet u siguruan nga Ligor Romaçka dhe Lulzimi.
“Ka qenë ora 4 e mëngjesit. E lamë Audin te dyqani i luleve dhe ikëm në Gjoçaj, 10 metra larg lokalit ku ndodhej viktima. Aty e bëmë vrasjen”, tregoi Tafani.
Ai shtoi se armët ishin me silenciator dhe u siguruan nga Bledar Berberi. Njëra prej armëve nuk funksionoi, ndërsa tjetra u përdor për të qëlluar viktimën.
“Kishim dy armë, një TT dhe një me fishekë të vegjël. Unë kisha njërën dhe Lulëzimi tjetrën. Unë e shkrehja armën katër herë: dy herë në gjoks dhe dy herë në shpatull. Në total u qëllua me gjashtë fishekë”, tha Tafani.
Në dëshminë e tij, Tafani shpjegon se informacionet mbi viktimën i morën nga Laerti, i cili komunikoi me Enrikon – personi që u dërgoi një video të makinës së Bashaliut dhe i udhëzoi për vendndodhjen e tij.
Dëshmia e Artan Tafanit është pjesë e hetimeve për zbardhjen e aktivitetit kriminal të një grupi të strukturuar, ku përfshihen emra të njohur si Saimir Taullau, Laert Haxhiu, dhe Lorenc Lala. Hetimet vijojnë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd