Transmetuar më 11-06-2025, 10:59

Tiranë, 11 qershor 2025 – Policia ka shpallur në kërkim katër shtetas pas një konflikti të dhunshëm të ndodhur mbrëmjen e kaluar në rrugën “Ali Demi”, ku dyshohet se janë përdorur sende të forta dhe është qëlluar me armë zjarri në ajër.

Sipas specialistëve për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në kërkim janë shpallur shtetasit F. D., 36 vjeç, D. Zh., 25 vjeç, M. D., 27 vjeç dhe F. S., 27 vjeç, të cilët dyshohet se janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, rreth orës 23:00 të së hënës.

Nga konflikti ka mbetur i dëmtuar shtetasi G. K., 26 vjeç, i dyshuar gjithashtu si i përfshirë në ngjarje, i cili është transportuar për ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Burime nga Policia bëjnë me dije se G. K. ka dhënë deklarata kontradiktore mbi rrethanat e konfliktit, ndaj me të do të kryhen veprime të mëtejshme procedurale. Hetimet paraprake tregojnë se gjatë sherrit është qëlluar me armë zjarri në ajër.

Nga vendi i ngjarjes janë sekuestruar një shkop bejsbolli, dy gëzhoja, një automjet dhe tre aparate celularë. Policia po vijon punën për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit