

“Moment” në Fier – Arrestohet 53-vjeçari që shpërndante heroinë në qytet, i gjendet edhe armë
Fier, 11 qershor 2025 – Policia e Fierit ka finalizuar operacionin e koduar “Moment”, me qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla. Operacioni u zhvillua pas një hetimi të ndjekur me metoda proaktive, në bashkëpunim mes Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.
Në përfundim të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi Adriatik Mone, 53 vjeç, banues në Fier, i kapur ndërsa po i shiste doza heroine një personi tjetër, shtetasit F. D., 37 vjeç, nga Patosi. Ndaj blerësit është nisur procedim penal në gjendje të lirë.
Ngjarja ndodhi në lagjen “Liri Gero”, ku shërbimet e Policisë ndërhynë në momentin e shkëmbimit. Pas ndalimit, kontrolli fizik dhe ai në banesën e të dyshuarit çuan në sekuestrimin e një sasie heroine të ndarë në doza të gatshme për shitje, një sasi kanabisi në formë çokollate, një peshore elektronike, një krehër pistolete, para në shumën e dyshuar të përfituara nga aktiviteti kriminal si dhe automjeti që përdorej për shpërndarje.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në formën e shpërndarjes në doza.
Policia e Fierit bën të ditur se hetimet për raste të tjera të ngjashme janë në vijim. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd