Transmetuar më 11-06-2025, 10:42

Shëngjin, 11 qershor 2025 – Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Kamuflimi”, i cili kishte në fokus goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në zona të frekuentuara nga turistët në Shëngjin.

Operacioni, i zhvilluar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, çoi në identifikimin e një grupi shtetasish që dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike në doza të vogla.

Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë tre shtetas:

Altin Gashi, 21 vjeç, banues në Kosovë

Ermal Tahiri, 28 vjeç, banues në Kosovë

Salim Bouyaiche, 43 vjeç, banues në Francë

Ndërkohë, është shpallur në kërkim shtetasi:

Ardian Gashi, 30 vjeç, banues në Kosovë

Të arrestuarit dyshohet se operonin në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërndarë lëndë narkotike të llojeve të ndryshme, përfshirë kokainë, kanabis (edhe në trajtë çokollate), ekstazi, MDMA dhe kërpudha me efekt haluçinogjen, kryesisht në zonat turistike të Shëngjinit ku qarkullojnë pushues të shumtë gjatë sezonit veror.

Gjatë kontrollit fizik ndaj të arrestuarve u sekuestruan doza të drogës që ishin gati për shpërndarje. Po ashtu, janë sekuestruar një automjet dhe tre telefona celularë, të cilët sipas hetimeve paraprake janë përdorur për organizimin e kësaj veprimtarie kriminale.

Nga këqyrja e pajisjeve elektronike të sekuestruara, Policia ka gjetur prova komunikimi mes të dyshuarve lidhur me shitjen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Vijojnë hetimet për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim si dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet. Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë për ndjekje penale për veprën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Policia tha se nuk përjashtohet mundësia që hetimet të zgjerojnë më tej hartën e përfshirjes në këtë aktivitet të strukturuar kriminal. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit