

LETONI – Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Broja, ka analizuar me zhgënjim paraqitjen e ekipit pas barazimit 1-1 ndaj Letonisë, një rezultat që vështirëson rrugën drejt kualifikimit në Kupën e Botës 2026.
“Sot nuk funksionoi asgjë siç duhet. Nuk kishim ritëm në pjesën e parë, qarkullimi i topit ishte i ngadaltë dhe nuk ishim të rrezikshëm para porte. Strakosha na mbajti në lojë me pritjen e tij në penallti, por goli i Letonisë në fund të pjesës së parë na demoralizoi.”
Broja u ndal edhe te vështirësia për të depërtuar përballë një kundërshtari që u mbyll në mbrojtje: “Letonia kërkonte ta prishte lojën me ndërprerje dhe topa të gjatë. Kjo e bëri më të vështirë për ne. Kur nuk shënon shpejt, këto ndeshje bëhen të rënda psikologjikisht.”
Sa i takon zgjedhjeve, Broja theksoi se vendimet i takojnë trajnerit: “Çdo lojtar është gati për të luajtur, por kjo ishte një ndeshje që na konsumoi shumë fizikisht. Ndoshta pati edhe pak lodhje nga sfida e mëparshme. Sot nuk ishim në nivelin e duhur.”
Sulmuesi i Chelsea-t mbetet gjithsesi optimist: “Shanset për vendin e dytë nuk kanë ikur. Është një grup i komplikuar, por ne do të luftojmë deri në fund. Duhet të jemi më konkretë në sulm dhe më të qartë në ndërtimin e aksioneve.”
Në fund, Broja pranoi se pavarësisht përgatitjeve në stërvitje, loja reale kërkon më shumë vendosmëri: “Kemi punuar për disa skema ofensive, por nuk i zbatuam siç duhet në fushë. Duhet të krijojmë më shumë raste dhe të jemi më të rrezikshëm në zonë.”
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd