Transmetuar më 11-06-2025, 07:39

LETONI – Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani, pranoi me sinqeritet pas ndeshjes së barazuar 1-1 ndaj Letonisë se skuadra nuk ishte në lartësinë e duhur, sidomos në pjesën e parë. Me këtë rezultat, Shqipëria zbeh më tej shanset për kualifikim në Botërorin 2026. “Pjesa e parë nuk ishte aspak pozitive. Kishim fat që nuk pësuam gol nga penalltia dhe arritëm të shënonim më pas. Por nëse luajmë kështu, ëndrra jonë për kualifikim bëhet gjithnjë e më e largët.”

Asllani zbuloi se trajneri Sylvinho u kishte kërkuar atij dhe Shehut të ishin më të kujdesshëm në mbulim: “Kam dalë shpesh lart në pjesën e parë, por kjo na ekspozoi. Mbrojtja shpesh ngeli e vetme. Trajneri na kërkoi të ktheheshim më shpejt, sepse po pësonim shumë kundërsulme.”

Sipas mesfushorit të Interit, problemi ishte më shumë në mënyrën si ekipi ushtronte presionin: “Nuk funksionoi si duhet presioni. Nuk ishim kompaktë si skuadër. Në shtator duhet të kthehemi me një tjetër fytyrë dhe me më shumë vendosmëri për fitore.”

Në përfundim, Asllani komentoi shkurt edhe për të ardhmen e tij: “Fillimisht do të shkoj të luaj në Botërorin për Klube. Për merkaton do të flasim më vonë. Jam i lodhur pas ndeshjes dhe nuk është momenti tani.”

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit