

GJERMANI- Një 28-vjeçare shqiptare është vrarë me armë zjarri në Gjermani më 5 qershor. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qytetin Wadern, në shtetin e Saarland-it. Lajmi është raportuar nga mediumi gjerman Bild, i cili shkruan se trupi i pajetë i gruas është gjetur pranë një pylli, afër autostradës midis Hermeskeil dhe Nonnweiler.
Autoritetet gjermane dyshojnë se vrasjen e ka kryer një shtetas gjerman, 34 vjeç. Ai është arrestuar mbrëmjen e së njëjtës ditë nga Policia e Saarland-it në lagjen Wadrill të Wadern.
“Përmes hetimeve intensive, një burrë 34-vjeçar nga Saarland u identifikua si i dyshuar. Policia e Saarland e arrestoi atë mbrëmë në lagjen Wadrill të Wadern”, ka njoftuar Shtabi i Policisë së Trier.
Trupi i pajetë i viktimës është gjetur të enjten rreth orës 05:30 të mëngjesit. Deri tani nuk ka informacion zyrtar për natyrën e plagëve apo shkakun e saktë të vdekjes.
Sipas policisë, viktima dhe i dyshuari njiheshin me njëri-tjetrin. Në momentin e arrestimit, policia ka gjetur edhe armë zjarri te i dyshuari, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim. Hetimet mbi motivin e mundshëm dhe rrethanat e plota të kësaj vrasjeje tragjike janë ende në zhvillim.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd