Transmetuar më 10-06-2025, 15:16

Prishtinë- Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 15 vjet burg Zoran Vukotiç, i akuzuar për krime lufte në Kosovë. Vukotiç u shpall fajtor për vrasjen e një 13-vjeçari më 18 prill të vitit 1999, në afërsi të varrezave të qytetit të Vushtrrisë. Sipas dosjes, ai e ka kryer krimin në bashkëpunim me persona të tjerë.

Viktima, së bashku me djalin e xhaxhait të tij kishin qenë duke bërë xhiro me biçikletë, kur Vukotiç së bashku me policë të tjerë të armatosur i kishin hasur fëmijët. I pandehuri, sipas aktakuzës, nga largësia prej 30 metrash kishte gjuajtur me armë zjarri drejt fëmijëve, duke qëlluar në gjoks viktimën B.M, i cili kishte vdekur menjëherë. Fëmija tjetër kishte arritur t’u shpëtojë të shtënave dhe ishte fshehur pas një muri.

Prokuroria Speciale e kishte ngritur katër aktakuza për krime lufte ndaj popullatës civile gjatë viteve 1998-1999 ndaj Vukotiç, por me propozimin e avokatit të tij, ato u bashkuan në një çështje më 2024.

Ndaj ish-rezervistit të policisë serbe, Zoran Vukotiç, më herët është dhënë edhe një tjetër dënim. Në vitin 2021 është dënuar me dhjetë vjet burg për veprën penale të dhunës seksuale gjatë luftës. Ky rast ishte kthyer në rigjykim, por më 2022 ishte rikonfirmuar ndaj tij. Më pas më 2023, Apeli ia rriti dënimin në 13 vjet burgim.

Në këtë aktakuzë thuhej se Vukotiç, si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, në kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, kishte kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit