

Tiranë, 10 Qershor 2025 – Administrata Tatimore ka njoftuar një risi në procedurat e ndjekjes së debitorëve, duke theksuar se çdo detyrim tatimor i papaguar mbi 1,000 lekë do t’i nënshtrohet analizës së riskut. Kjo masë përfshin të gjitha llojet e tatimeve: kontribute të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, TVSH, tatim mbi të ardhurat, tatim mbi pagat, etj.
Në rastet kur detyrimi rezulton i pashlyer për një periudhë të gjatë, tatimet mund të fillojnë procedurat për mbledhjen me forcë, duke përfshirë edhe sekuestrimin e makinave të debitorëve. Sekuestrimi nuk zbatohet për borxhe të vogla të sapokrijuara, por për raste të zgjatura dhe të përsëritura.
Një risi në këtë proces është marrëveshja e re mes Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor, që i jep tatimeve akses të menjëhershëm në të dhënat për mjetet në pronësi të debitorëve. Kjo shmang vonesat e mëparshme dhe përshpejton reagimin e institucioneve përkatëse.
Përpara sekuestrimit, debitorëve u dërgohen disa njoftime për shlyerjen e detyrimeve. Nëse nuk reagohet, lëshohet një barrë hipotekore dhe një barrë siguruese ndaj mjetit.
Administrata Tatimore gjithashtu paralajmëron qytetarët dhe bizneset që, para se të blejnë një mjet të përdorur, të verifikojnë statusin tatimor të pronarit, pasi nëse ky rezulton debitor, transaksioni mund të shpallet i pavlefshëm.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd