Transmetuar më 09-06-2025, 14:36

BULQIZË- Një fermë bagëtish të imta në fshatin Val të Martaneshit në Bulqizë është prekur nga sëmundja e murtajës. Burime bëjnë me dije se deri tani kanë ngordhur më shumë se 150 krerë keca, ndërsa rrezikohet e gjithë tufa e cila ka afro 700 krerë.

Në fermerë shkuar specialistët e drejtorisë rajonale të Ekstensionit Bujqësor Didër, të shërbimit veterinar në qark dhe ato pranë bashkisë Bulqizë. Deri tani është raportuar që numri i kecave të ngordhur është mbi 150, ndërsa e infektuar dyshohet të jetë e gjithë tufa.

Mjeku veterinar pranë Operatorit të Sistemit RUDA, dega Bulqizë, Gëzim Neziri tha se janë marrë mostra nga bagëtia e ngordhur dhe janë dërguar pranë ISUV në Tiranë. Nëse rezulton nga analizat që është vërtetë sëmundja e murtajës shkak i ngordhjes, do të bëhet ekzekutimi i gjithë bagëtisë për të shmangur përhapjen në ferma të tjera.

Nisur nga kjo ngjarje është kërkuar informacion edhe nga fermat e tjera të cilat kanë raportuar se për momentin nuk kanë bagëti të sëmura. Bagëtia e ngordhur në fermën në fshatin Val të Martaneshit, do të groposet sipas rregullave të përcaktuara nga Insituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit