Transmetuar më 09-06-2025, 14:15

Tiranë, 9 qershor 2025 – Ish-kryetari socialist i Bashkisë Kavajë, Elvis Rroshi, është paraqitur sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës, për t’u njohur zyrtarisht me akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Sipas burimeve zyrtare nga organet e drejtësisë, Rroshi akuzohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, në lidhje me dy tendera me vlerë të përbashkët prej 33 milionë eurosh, që dyshohet se janë realizuar në kundërshtim me ligjin gjatë kohës që ai drejtonte bashkinë.

Hetimet janë nisur mbi bazën e një kallëzimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), i cili ka konstatuar shkelje të rënda në procedurat e prokurimit publik. Fillimisht çështja u trajtua nga Gjykata e Durrësit, por kjo e fundit shpalli moskompetencë, duke ia kaluar dosjen Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO).

SPAK pritet të vijojë me fazat e mëtejshme të procedimit penal, ndërsa Elvis Rroshi ka mohuar deri më tani çdo akuzë ndaj tij.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit