Transmetuar më 08-06-2025, 22:52

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në Kosovë, ku humbi jetën 26-vjeçari Ideal Halabaku.

Sipas mediave në Kosovë, ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Ura e Kaçanikut” në autostradën “Arbën Xhaferi”. Paraprakisht u tha se Halabaku ishte përfshirë në një aksident dhe në tentativë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, kishte rënë poshtë urës.

Megjithatë, sipas një njoftimi të fundit, policia deklaron se i riu nuk ka ndërruar jetë nga aksidenti. Uniformat blu nuk japin detaje të tjera, teksa hetimet mbi ngjarjen vazhdojnë.

Njoftimi i policisë:

Më datë 08.06.2025, rreth orës 13:15, jemi njoftuar nga një qytetar për gjetjen e trupit të pajetë të viktimës I.H (M/K) i moshës 26 vjeç.

Dyshohet se viktima kishte pësuar aksident trafiku rreth orës 05:00 të mëngjesit në autostradën “Arbën Xhaferi”, afër fshatit Bob, komuna e Kaçanikut.

Menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse të Trafikut të Autostradës. Pas ekzaminimeve fillestare nga hetuesit e trafikut, është konstatuar se vdekja e viktimës nuk ka ardhur si pasojë e aksidentit.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit e stacionit policor Kaçanik, ndërsa rreth orës 16:45, janë angazhuar edhe Hetimet Rajonale dhe Forenzika Rajonale.

Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori për krime të rënda nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, i cili ka autorizuar inicimin e rastit si: “Hetim mbi vdekjen”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit