

Moskë, 8 qershor 2025- Rusia ka njoftuar se trupat e saj kanë avancuar për herë të parë në rajonin lindor të Dnjipropetrovskut që nga fillimi i agresionit ndaj Ukrainës në vitin 2022, duke shënuar një zhvillim të ri shqetësues në luftën që vijon prej më shumë se tre vitesh.
Sipas autoriteteve ruse, përveç këtij përparimi të fundit, Moska ka marrë nën kontroll të paktën 20% të gjithë territorit të Ukrainës. Ky zhvillim vjen në një kohë kur Rusia dhe Ukraina vijojnë të përplasen edhe për kthimin e mijëra kufomave të ushtarëve të vrarë, ndërsa thirrjet ndërkombëtare për armëpushim bien në vesh të shurdhër në Kremlin.
Moska ka refuzuar kategorikisht propozimin për një armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte, të kërkuar nga presidenti amerikan Donald Trump, Ukraina dhe Bashkimi Evropian. Gjatë raundit të fundit të bisedimeve për paqe të mbajtura në Stamboll, delegacioni rus ka përsëritur kushtet e saj të njohura: tërheqjen e forcave ukrainase nga vija e frontit, ndërprerjen e ndihmës ushtarake perëndimore për Kievin dhe heqjen dorë nga aspiratat për anëtarësim në NATO.
Sipas burimeve pro-ukrainase, Rusia ka zaptuar mbi 190 kilometra katrorë të rajonit lindor të Sumit vetëm në muajin e fundit. Tashmë, vëmendja është përqendruar te Dnjipropetrovsku – një rajon me rëndësi strategjike për ekonominë ukrainase, veçanërisht për shkak të industrisë së rëndë dhe minierave që ndodhen atje. Analistët paralajmërojnë se avancimi rus në këtë zonë mund të ketë pasoja të rënda për qëndrueshmërinë ekonomike dhe rezistencën ushtarake të Ukrainës.
Ndërkohë, nuk ka ende asnjë reagim zyrtar nga Kievi për pretendimet ruse, dhe as ndonjë konfirmim të pavarur për përparimin e trupave të Moskës në këtë rajon.
Situata në front mbetet e përgjakshme: të paktën 14 civilë janë vrarë dhe 68 të tjerë janë plagosur nga sulmet e forcave ruse në Harkiv, Herson dhe Donjeck gjatë dy ditëve të fundit, sipas të dhënave nga Policia Kombëtare e Ukrainës.
Nga ana tjetër, Kievi ka intensifikuar gjithashtu operacionet në territorin rus. Më 8 qershor, një sulm ukrainas me dron ka shkaktuar zjarr në një fabrikë kimike në rajonin Tula, rreth 180 kilometra në jug të Moskës. Si pasojë, dy aeroportet kryesore ndërkombëtare të kryeqytetit rus – Vnukovo dhe Domodedovo – pezulluan përkohësisht fluturimet. Autoritetet ruse nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme për dëmet.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






