

SERBI- Gazeta serbe "Pink" shkruan se tifozët shqiptarë treguan sjellje të dhunshme për ndeshjen Shqipëri–Serbi, e cila përfundoi në barazim pa gola (0-0), në stadiumin e Tiranës. Ky duel, pjesë e kualifikueseve për Kampionatin Botëror, pati jehonë përtej futbollit, duke u shndërruar në një provë tensioni, përmbajtjeje dhe vendimesh të diskutueshme arbitrale.
Sipas burimeve serbe, atmosfera në kryeqytetin shqiptar ishte tepër e elektrizuar, me raste ku situata dilte jashtë kontrollit. Mediat serbe theksojnë se disa prej futbollistëve të kombëtares serbe u goditën me objekte të hedhura nga tifozët në tribunë, duke shkaktuar ndërprerje të herëpashershme të lojës. Mediat në Serbi dënuan ashpër sjelljen e publikut dhe kritikuan gjyqtarin për mungesë reagimi ndaj incidenteve.
Një prej portaleve më të mëdha serbe, shkruante se në bazë të rregullave të UEFA-s, arbitri duhej të urdhëronte evakuimin e tribunave ose të ndërpriste përfundimisht ndeshjen. Më tej, theksohej se nëse një situatë e tillë do të kishte ndodhur në Beograd, vazhdimi i ndeshjes do të ishte një version, që nuk do mendohej.
Gjithashtu media të tjera serbe e kanë pasqyruar të gjithë ndeshjen me termat “terror, skandal, po na sulmojnë lojtarët tanë” edhe pse diçka e tillë nuk ndodhi duke përjashtuar hedhjen e disa gotave plastike në drejtim të lojtarëve serb.
Gjestin e fëmijëve kur bënë me duar shqiponjën dykrenare, në mënyrë fëminore dhe të entuziazmuar, e kanë përshkruar kështu: “Sa urrejtje në Tiranë! Skandalet nuk mbarojnë kurrë… fëmijët treguan shqiponjën shqiptare gjatë këndimit të himnit tonë kombëtar, shikoni skenat e tmerrshme që i tmerruan të gjithë!
“FUTBOLLISTËT SERBË MEZI SHPËTOJNË JETËT E TYRE NË TIRANË: Një ndeshje skandaloze që duhej të NDALOHEJ! Gjorgje Petrović na solli një pikë kundër Shqipërisë”, është ky titulli i lajmit të përmbylljes së ndeshjes.
Ndërsa Blic shkruan: “Edhe pse nuk dukej se do të ishte kështu, veçanërisht kur shikon atmosferën para ndeshjes, skuadra e Dragan Stojkoviç i mbijetoi një ferri të vërtetë. Tre herë djemtë tanë u goditën në kokë, Davide Massa ndërpreu shkurt duelin, por ai nuk pati guximin t’u tregonte lojtarëve rrugën për në dhomën e zhveshjes. Le të mos flasim për skandalin para ndeshjes, kur fëmijët treguan një shqiponjë dykrenare në fushë”.
Por siç duket mediat serbe e kanë harruar dhunën që u shkaktua ndaj futbollistëve tanë 11 vite më parë në Beograd, çka solli ndërprerjen e ndeshjes dhe fitoren 0-3 në tavolinë për Shqipërinë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






