

Romë, 8 qershor 2025 – Një ngjarje tronditëse ka tronditur kryeqytetin italian, ku trupat e një foshnje 6-muajshe dhe një gruaje janë gjetur të pajetë në një park, në gjendje të avancuar dekompozimi. Sipas autoriteteve italiane, trupat ishin fshehur brenda një qeseje të zezë dhe një thesi, dhe u zbuluan nga kalimtarë në orare të ndryshme, me një distancë rreth 200 metra nga njëri-tjetri.
Policia italiane ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë. Janë duke u analizuar dëshmitë e qytetarëve të zonës, ndërsa janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar personin që ka sjellë trupat në park. Po ashtu, po verifikohen të dhënat për persona të zhdukur në orët e fundit.
Shkaqet dhe momenti i vdekjes së dy viktimave mbeten ende të paqarta, por një nga pistat kryesore të hetimit është mundësia e përfshirjes së një autori të vetëm.
Ngjarja e rëndë në Romë vjen vetëm pak ditë pas një tjetër rasti tronditës në zonën e Salernos, ku një fëmijë 9-muajsh nga Vibonati u shtrua në spital me fraktura dhe dëmtime serioze. Ai ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin Santobono të Napolit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






