Transmetuar më 08-06-2025, 07:54

Tiranë, 8 Qershor 2025 – Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka dhënë sqarime të detajuara mbi përfitimin e zbritjes prej 100 mijë lekësh për shpenzimet arsimore të fëmijëve, në kuadër të ligjit të ri për tatimin mbi të ardhurat.

Kush përfiton?

Sipas ligjit nr. 29/2023, individët që kanë të ardhura vjetore të tatueshme më pak se 1.2 milionë lekë nga punësimi dhe/ose biznesi, kanë të drejtë të përfitojnë zbritjen për shpenzimet arsimore të fëmijëve të tyre. Shuma maksimale që mund të zbritet është 100,000 lekë, pavarësisht numrit të fëmijëve nën 18 vjeç.

Kërkesa për përfitim bëhet nga anëtari i familjes me të ardhura më të larta dhe duhet të deklarohet në formularin vjetor të të ardhurave, i njohur si DIVA, deri më 31 mars të vitit pasardhës.

Çfarë dokumentacioni nevojitet?

Për të përfituar zbritjen, individi duhet të ruajë kontratat me institucionet arsimore dhe dokumentet e pagesës për fëmijët. Po ashtu, përfshihen edhe fatura për kurset e gjuhëve të huaja. Dokumentacioni nuk ngarkohet në platformë, por duhet të ruhet për një periudhë prej të paktën 5 vjetësh, sipas ligjit për procedurat tatimore.

Shembull praktik

Një individ me të ardhura vjetore 840,000 lekë që përfiton zbritjen për arsimin e fëmijës do të ketë një gjendje kreditore prej rreth 13,000 lekësh, e cila mund të kërkohet për rimbursim brenda 3 muajve nga dorëzimi i deklaratës.

Nëse të ardhurat tejkalojnë 1.2 milionë lekë në vit, individi nuk ka të drejtë për këtë përfitim.

Kujdes me dokumentet

Në rast kontrolli nga administrata tatimore, mungesa e dokumentacionit justifikues mund të çojë në penalizim të individit, pasi deklarimi do të konsiderohet i pasaktë.

Përgjegjësia e llogaritjes

Sistemi nuk e llogarit automatikisht zbritjen. Është vetë individi që duhet të plotësojë shumën e përfituar në deklaratën DIVA dhe të përmbushë të gjitha kushtet ligjore për ta përfituar.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit