Transmetuar më 07-06-2025, 16:40

PRISHTINË – Rastet e reja të infektimit me virusin HIV në Kosovë kanë shënuar rritje të ndjeshme këtë vit. Vetëm gjatë periudhës janar–maj 2025, janë regjistruar 10 raste të reja, sipas të dhënave zyrtare nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Krahasuar me vitin 2023, kur ishin regjistruar gjithsej 20 raste, viti 2024 u mbyll me 34, duke reflektuar një rritje të vazhdueshme. Shifrat e fundit e çojnë totalin e rasteve në trend alarmues për vitin 2025, paralajmërojnë ekspertët shëndetësorë.

“Nuk ka informim të mjaftueshëm te të rinjtë për mënyrat e transmetimit të HIV-it. Shumë prej tyre nuk dinë as ku mund të testohen,” – thotë dr. Murat Mehmeti, shef i repartit për sëmundje seksualisht të transmetueshme në Klinikën Infektive në Prishtinë.

Sipas tij, vetëm në Klinikën Infektive janë evidentuar 10 raste të reja gjatë këtij viti, ndërsa aktualisht rreth 100 pacientë po marrin trajtim dhe terapi falas në këtë institucion.

Mjekët shprehen se shifra reale mund të jetë edhe më e lartë për shkak të paragjykimeve që i ndalojnë njerëzit të testohen apo të kërkojnë ndihmë mjekësore.

Shërbime falas, por vetëdijesim i ulët IKSHPK ka konfirmuar se testimi për HIV ofrohet anonimisht dhe pa pagesë në të gjitha institucionet publike shëndetësore, ndërsa janë zhvilluar edhe fushata vetëdijësuese në shkolla për të informuar të rinjtë mbi rreziqet e infeksionit.

“Të rinjtë në Kosovë fillojnë marrëdhëniet seksuale në moshë të hershme, ndaj edukimi duhet të fillojë që herët,” – thotë Edona Dobroshi-Deva, menaxhere e Programit Global për HIV-in në Kosovë.

Sipas saj, rritja e numrit të rasteve mund të lidhet edhe me një ndërgjegjësim më të madh për testim, ose me shfaqjen e simptomave te persona që janë infektuar vite më parë.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës nuk ka komentuar publikisht mbi shifrat e fundit, por në strategjinë zyrtare të publikuar në faqen e saj, HIV përfshihet në prioritetet për parandalim dhe trajtim të sëmundjeve infektive.

Konteksti historik Rasti i parë i HIV-it në Kosovë është regjistruar në vitin 1986. Që atëherë, mbi 50 persona kanë humbur jetën si pasojë e këtij infeksioni, i cili dëmton sistemin imunitar dhe mbetet i pashërueshëm, por i menaxhueshëm me terapi antiretrovirale.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit