

UZBEKISTAN – Futbolli uzbek ka shkruar historinë. Kombëtarja e Uzbekistanit është kualifikuar për herë të parë në Kupën e Botës, pas një barazimi pa gola ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe në ndeshjen e zhvilluar në Abu Dabi, rezultat që i siguroi vendin e dytë në Grupin A të fazës së dytë të kualifikimeve aziatike.
Ky është një sukses i jashtëzakonshëm për një kombëtare që për vite të tëra ka qenë pranë kualifikimit, por kurrë nuk e kishte kaluar pengesën finale. “Një moment historik për futbollin e Azisë Qendrore”, e cilëson “ESPN”, duke vlerësuar progresin e jashtëzakonshëm që Uzbekistani ka bërë sidomos në aspektin taktik dhe zhvillimin e lojtarëve të rinj.
Uzbekët mbyllën grupin me 18 pikë, pas pesë fitoreve, tri barazimeve dhe vetëm një humbje, me një golavarazh prej 11-7. Ata siguruan matematikisht vendin e dytë, pas Iranit që kishte garantuar më herët pozitën e parë dhe kualifikimin. Pavarësisht presionit të Emirateve, që kishin shpresuar ta zgjatnin garën deri në ndeshjen e fundit, Uzbekistani tregoi pjekuri taktike dhe menaxhim të shkëlqyer të lojës – një reflektim i qartë i punës së bërë nga trajneri Srecko Katanec, i cili ka transformuar këtë skuadër në një forcë të respektuar në rajon.
Suksesi i tyre vjen në një moment kur FIFA World Cup 2026 pritet të jetë edicioni më i madh në histori, me 48 skuadra dhe tri shtete pritëse: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Meksika. Për Uzbekistanin, kjo është më shumë se pjesëmarrje – është një hap i madh drejt afirmimit në skenën globale.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






