

Tiranë- Zgjedhjet e 11 majit sollën një humbje të thellë për opozitën në vend, që duket se ka krijuar një “krisje” në koalicionin “PD- Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.
Prej kohësh përflitet për një “ftohje” të raportit mes Sali Berishës dhe Ilir Metës, e një shenjë për këtë ishte dhe zgjedhja e kreut të PL-së, për t’u përfaqësuar nga një avokati ri. Më herët ai përfaqësohej nga avokati Genc Gjokutaj, i njëjti që përfaqësonte dhe Berishën.
Megjithatë, tashmë ai përfaqësohet nga avokat, Kujtim Cakrani, i cili ishte sot i ftuar edhe në emisionin “Breaking”. Ai tha se nuk mund të flasë për krizën e mundshme mes Metës dhe Berishës, por foli për zgjedhjet, që i cilësoi si votime nën terror.
“Unë jam zgjedhur ta përfaqësoj juridikisht, jo politikisht prandaj nuk mund të flas për raportin e zotit Meta me Berishën. Sa i përket zgjedhjeve, kam thënë që nuk kishte zgjedhje, por ishte vjedhje. Ky proces u krye nën një terrorizëm. Shqiptarët kanë votuar në terror, nuk kanë votuar të lirë apo me mendjen e tyre. Këtë shpjegim di të jap unë. “- tha ai.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






