

Policia e Shtetit në Konferencën Rajonale të INTERPOL-it – Thellohet bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar
Athinë, 5 qershor 2025 – Policia e Shtetit ka forcuar më tej bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar, ndërkufitar dhe kibernetik, në kuadër të Konferencës së 52-të Rajonale të INTERPOL-it, e zhvilluar në Athinë.
Në përfaqësim të Shqipërisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, zhvilloi takime zyrtare me drejtues të lartë të agjencive ligjzbatuese ndërkombëtare, homologë dhe përfaqësues të strukturave partnere në fushën e sigurisë.
Takimin e parë, Proda e zhvilloi me Presidentin e INTERPOL-it, Gjeneral Major Ahmed Naser Al-Raisi, të cilin e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme në përpjekjet e Policisë së Shtetit për kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, përfshirë ata të strehuar në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Ju siguroj për vendosmërinë time dhe të Policisë së Shtetit për të thelluar bashkëpunimin në luftën kundër fenomeneve kriminale globale. Policia shqiptare sot është një partnere me standarde profesionale dhe e barabartë në operacione ndërkombëtare hetimore dhe operacionale,” u shpreh Proda gjatë takimit.
Nga ana e tij, Presidenti i INTERPOL-it vlerësoi angazhimin e strukturave shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe theksoi se “vendosmëria për bashkëpunim ka krijuar një klimë besimi në rritje ndaj Policisë së Shtetit”, duke garantuar vijimin e mbështetjes për intensifikimin e veprimeve të përbashkëta.

Në vijim të punimeve të konferencës, Drejtori i Përgjithshëm Proda zhvilloi takime edhe me: Sekretarin e Përgjithshëm të INTERPOL-it, z. Valdecy Urquiza, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Kombëtare Greke, Gjeneral Lejtnant Dimitrios Mallios, Menaxherin e projektit EU4FAST WB, z. Antonio Montanaro, si dhe përfaqësues të tjerë të rëndësishëm të sigurisë publike ndërkombëtare.
Gjatë këtyre takimeve, Proda theksoi angazhimin e Policisë së Shtetit për të përmbushur me profesionalizëm detyrimet ndërkombëtare në fushat prioritare si:
Lufta kundër krimit të organizuar dhe krimit ndërkufitar
Parandalimi dhe ndëshkimi i krimit kibernetik
Goditja e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, me fokus rrugët nga Amerika Latine
Kapja dhe ekstradimi i personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar
Forcimi i bashkëpunimit për formimin profesional dhe shkëmbimin e ekspertizës policore
Rritja e kapaciteteve logjistike dhe operacionale të strukturave të Policisë së Shtetit
Proda ka vënë në dukje angazhimin e Shqipërisë për t’u përfshirë aktivisht në skuadra të përbashkëta hetimore dhe operacionale, si një aktor i besueshëm dhe efikas në përmbushje të detyrimeve që burojnë nga angazhimet ndërkombëtare dhe misioni i përbashkët për garantimin e sigurisë globale. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






