

Prishtinë- Deputetët e Kuvendit të Kosovës për të 27-tën herë me radhë kanë dështuar që të konstituojnë përbërjen e re parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe sërish refuzuan, në vazhdimin e seancës konstituive më 4 qershor, që të propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.
Votimi i fshehtë është propozuar në vazhdimin e seancës konstituive më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi e propozuara për kryeparlamentare nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në disa votime të hapura dështoi që të merrte 61 vota për t’u zgjedhur në këtë post.
Çështja e votimit të fshehtë po kundërshtohet nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë dhe është dërguar në Gjykatën Kushtetuese për interpretim. Ato vlerësojnë se mënyra se si LVV-ja po tenton që kryetari i ri i Kuvendit të zgjidhet përmes votës së fshehtë është jokushtetuese, duke kërkuar nga Gjykata që të marrë “një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe të marrë një vendim”.
Kjo ishte hera e nëntëmbëdhjetë që deputetët refuzuan votimin e fshehtë për kryeparlametar. Seanca konstituive, që nisi më 15 prill, do të vazhdojë më 7 qershor.
Para nisjes së seancës, avokati Arianit Koci, tha se do të mbyllë dyert e Kuvendit, me qëllim që deputetët të qëndrojnë brenda sallës plenare deri të arrihet një marrëveshje politike për konstituimin e Kuvendit.
Ai pasi ua kërkoi këtë gjë të gjithë deputetëve që hynin në Kuvend, mbylli në mënyrë simbolike dyert e organit ligjvënës duke vendosur një fjongo.
PDK-ja dhe AAK-ja e konsiderojnë Haxhiun figurë përçarëse, duke kërkuar që LVV-ja – fituesja e zgjedhjeve që ka të drejtën ekskluzive të propozojë kandidatin për kryeparlamentar – të ndryshojë emrin.
LVV-ja insiston se Haxhiu e meriton të zgjidhet kryeparlamentare, teksa së voni, kjo parti ka thënë se po pret vendimin e Kushtetueses për këtë çështje.
LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se nuk do të votojë asnjë të propozuar nga LVV-ja për postin e kryeparlamentarit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






